Kapet me mina me telekomandë, arrestohet 45-vjeçari në Lezhë

Kapet me mina me telekomandë, arrestohet  45-vjeçari në Lezhë

Një 45-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhës, që ka sekuestruar 3 mina me telekomandë. Sipas bluve, Ilir Gjoka montonte mina me telekomandë (me lëndë plasëse C4) për shpërthim në distancë, për t’ua shitur më pas grupeve kriminale. Në momentin e ndalimit, atij iu gjet dhe një sasi e vogël kanabisi.

“Në qytetin e Lezhës, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin e dyshuar I.Gj., i cili mund të transportonte minat me telekomandë dhe kanë ndërhyrë menjëherë për ta ndaluar. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën të fshehura në trup, 3 mina me telekomandë, me lëndë plasëse C4, për shpërthim në distancë, dhe një sasi të vogël lënde narkotike cannabis sativa. Nga hetimet e deritanishme dyshohet se ky shtetas i montonte vetë minat, me qëllim shitjen grupeve kriminale, për kryerjen e krimeve kundër personit”, njoftoi policia.

Në përfundim të veprimeve procedurale, shtuan të njëjtat burime, u arrestua në flagrancë shtetasi 45-vjeçari, banues në Lezhë, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 3 minat (të montuara me celularë) dhe sasia e kabanisit.

Ndërkohë, hetimet lidhur me rastin vijojnë.