Informaliteti dhe grumbullimi pa fatura po dëmtojnë prodhuesit e serrave, çmimet nën kosto

Informaliteti dhe grumbullimi pa fatura po dëmtojnë prodhuesit e serrave, çmimet nën kosto
Informaliteti dhe grumbullimi pa fatura po dëmtojnë prodhuesit e serrave, çmimet nën kosto

Sezoni i parë i domates në serra është në kulmin e prodhimit, por fermerët janë të shqetësuar se blerjet pa faturë janë duke krijuar konkurrencë të pandershme dhe çmime të ulëta.

Në zonën e Samaticës në Berat, e cila ka intensitetin më të lartë të serrave në vend, një kilogram domate nga serra për eksport kushtoi dje 50 lekë.

Fermerët pohuan se ky është një çmim shumë më i lirë se sa ofron shumica për tregun vendas, 70 lekë një kilogram.

Prodhuesit janë të zënë me vjeljen dhe nuk kanë kohë dhe burime njerëzore të eksplorojnë tregun, teksa janë të ekspozuar tërësisht ndaj tregtarëve, të cilët grumbullojnë pa çmime dhe pa fatura. 
Një kilogram domate nga serra vitin e kaluar u shit me 120-150 lekë për kilogram, ndërsa këtë javë po kushton 50-55 lekë.

Këtë vit tregjet e Europës dhe Rajonit kanë një furnizim më të mirë nga vendet e Mesdheut, pasi vitin e kaluar, në sezonin e parë, kushtet e motit dëmtuan prodhimet e zarzavateve në Spanjë dhe në Itali.

Mirëpo çmimet e pakicës si në tregjet e eksportit dhe në ato të vendit për zarzavatet ishin me rritje. Të dhënat nga INSTAT tregojnë se inflacioni në këtë grup shënoi rritje vjetore me rreth 4% në prill.

“Grumbulluesit nuk lëshojnë fatura për domatet dhe trangujt. Grumbullojnë gjithë ditën dhe çmimet i shpallin të nesërmen, pasi është marrë dhe shitur malli. Jemi totalisht të dhunuar nga grumbulluesit.

Qeveria duhet t’i detyrojë ata të punojnë më fatura” thotë Mariglen Ziu një fermer serrash në Samaticë të Beratit. Si ai, janë të shqetësuar edhe shumë fermerë të tjerë shumë nga të cilët janë kthyer nga emigracioni për të investuar në sera, pasi qeveria u premtoi mbështetje.

Prodhuesi pohojnë se çmimet 40-50 lekë për kilogram janë nën kostot e prodhimit. Sipas tyre një çmim prej 650 lekë mbulon kostot e trangullit dhe për domatet 80 lekë për kilogram. Fermerët pohojnë se janë rritur kostot e punës dhe të inputeve të cilat kanë ndikuar ndjeshëm në rritjen e çmimeve të prodhimit.

Në Shqipëri, sektori i bujqësisë karakterizohet nga informalitetI i lartë dhe burimet e dhënave shpesh kanë pasaktësi të mëdha.

INSTAT mat kostot e prodhimit në shumë sektorë. Për bujqësinë të dhënat e fundit për çmimet e prodhimit i takojnë fundit të vitit 2022./Monitor