Sa i ‘rrezikon’ Starlink kompanitë shqiptare të internetit?

Sa i ‘rrezikon’ Starlink kompanitë shqiptare të internetit?

Shërbimi inovativ i internetit satelitor ka mbërritur edhe në Shqipëri falë kompanisë së miliarderit Elon Musk, “STARLINK”.

Nëpërmjet një komunikimi në rrjetin social X, ai njofoi mbërritjen e këtij shërbimi për herë të parë në vendin tonë. Në faqen zyrtare të “Starlink” ka qenë e mundur që nga dita e djeshme për të marrë këtë shërbim në çdo zonë të Shqipërisë.

Starlink është një projekt që ka për qëllim ofrimin e internetit në çdo cep të botës përmes sateliteve të zhvilluar nga “SpaceX” e Elon Musk. “Starlink” synon të sigurojë qasje në internet me shpejtësi të lartë kryesisht në zona të thella ku shërbimi i zakonshëm i internetit me fibër optike apo me antenë nuk është i mundur.

Që nga marsi i vitit 2019-të janë leshuar në orbitën e tokës afërisht 6000 satelite të vegjël që bëjnë të mundur shpërndarjen e internetit në të gjithë botën. Përdoruesit mund të lidhen me rrjetin “Starlink” duke përdorur pajisje te posaçme që kap valët e transmetura nga satelitet në orbitë dhe një modem, duke i lejuar ata të kenë qasje në shërbim interneti të shpejtë dhe të besueshëm edhe në zona me infrastrukturë të kufizuar. Sipas përllogaritjeve të përafërta, shpejtësitë e internetit që “STARLINK” arrin të ofrojnë janë relativisht të larta duke arritur edhe deri në 220 Mbps në kushtet optimale, ndërkohë që shpejtësia mesatare që shumica e përdoruesve kanë është mbi 100 Mbps.

Përsa i përket kostove të këtij shërbimi në vendin tonë, në faqen zyrtare të Starlink shfaqet një çmim prej 6,500 lekësh për abonimin mujor, ndërkohë që është e nevojshme dhe një pagesë fillestare për pajisjet me një çmim prej 42,500 lekësh.

Por çfarë ofron “Starlink” më shumë se kompanitë e tjera të internetit në Shqipëri? “Scan Intel” ka kryer një analizë krahasuese mes shërbimeve të disa kompanive në Shqipëri dhe “Starlink” për të parë diferencat. Shumë kompani të ndryshme ofrojnë paketa të ndryshme në varësi të shpejtësisë që ofrojnë. Nëse analizojmë një ndër kompanitë më të përdorura në vend, shohim se paketat e internetit variojnë nga 1,500 lekë deri në 2,600 në muaj në varësi të shpejtësisë. Pra nëse marrim shpejtësinë mesatare të “Starlink” që është nga 100 Mbps deri në 200 Mbps dhe e krahasojmë se paketat e kompanive të tjera, që për këtë shpejtësi variojnë nga 1,500-1,800 lekë, shohim se janë shumë herë më të lira.

Por çfarë duhet të kemi parasysh në rastin e “Starlink”?

Avantazhi i “Starlink” është mbulueshmëria dhe ofrimi i internetit në zona të thella dhe të pa mbuluara. Po ashtu një avantazh tjetër janë edhe planet e veçanta që të lejojnë ta përdorësh edhe në lëvizje.

“Scan Intel” ndër të tjera ka analizuar edhe tregjet e aksesit broadband fiks. Sipas të dhënave të raportit të AKEP, në përgjithësi çmimet e ofruara nga ofruesit e shërbimeve broadband në Shqipëri janë në përputhje me nivelin e çmimeve të propozuara në vendet e tjera të Bashkimit Europian.

Deri në vitin 2022, ishin gjithsej 240 operatorë fiks të licensuar që ofrojnë shërbime në Shqipëri. Prania e një numri kaq të madh ofruesish aktivë në tregje sinjalizon barriera të ulëta për hyrjen, një tipar i rëndësishëm i një konkurrence të shëndetshme.

Por cili është operatori më i madh në Shqipëri?

Nga të dhënat shohim se One Albania vijon të kryesojë, por pesha e tij në treg ka rënë ndjeshëm që nga viti 2017-të, referuar grafikut të AKEP. Nga 40% e peshës që kishte ky operator para shtatë viteve, shifrat e tremujorit të dytë të vitit që lamë pas tregojnë se tani më ka vetëm 22%. Ndjek Vodafone Albania me 21%, pasuar nga ASC me 10%, Abissnet me 7% dhe të tjera me një peshë prej 31%.

Shumica e operatorëve në Shqipëri janë të një madhësie të vogël dhe kanë një prani rrjeti të kufizuar në zona specifike gjeografike, veçanërisht në zonat urbane ose rurale në afërsi të qendrave urbane. Pak nga operatorët në këtë treg kanë mbulim të gjerë pasi shumica e ofruesve të shërbimeve broadband konkurrojnë në segmente më të vogla dhe janë kryesisht ofrues lokalë. Pra, me përjashtim të 9 operatorëve, të gjithë ofruesit e shërbimeve broadband fiks janë të pranishëm në më pak se 6 nga 61 bashkitë e Shqipërisë. Vetëm operatorët më të mëdhenj (One Albania, Vodafone, ASC, Abissnet, Digicom dhe Nisatel) ofrojnë shërbime në më shumë se 10 bashki. Në këto kushte lind pyetja, sa e konkuron “Starlink” rrjetin në Shqipëri?

Një tipar kryesor i zhvillimit të konkurrencës në tregun shqiptar është rritja e rëndësisë së operatorëve të vegjël. Pjesa e kombinuar e tregut të gjashtë operatorëve më të mëdhenj në Shqipëri u ul nga 89% në 2017 në 68% në fund të 2022. Megjithatë, rritja e pjesës së tregut të operatorëve më të vegjël duket se është ndalur që nga viti 2022.

Theksojmë se “Starlink” ofron shërbimin e saj në mbi 70 shtete të botës, ku mes tyre tashmë edhe Shqipëria. I gjithë projekti ka revolucionalizuar tregun e shërbimit të internetit në të gjithë botën që prej prezantimit të tij para 5 vitesh.

Por deri më tani, në vendet që e kanë aplikuar dhe më herët, të dhënat dëshmojnë se suksesi kryesor i Starlink është në zonat rurale, ku aksesi në internet për shkak të mungesës së infrastrukturës fizike ka qenë i vështirë. Ndërkohë që potenciali aktual i Starlink qendron në një pjesë të vogël të tregut, kryesisht biznese në sektorë si agrikultura, turizmi apo miniera dhe për momentin, duket se në zonat urbane ka pak gjasa që konsumatorët me të ardhura mesatare të zëvëndësojnë ofruesit lokal të internetit.