Shpërthimi në banesën e Sterkajt, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Kërcënim ndaj të gjithë magjistratëve!

Shpërthimi në banesën e Sterkajt, reagon Unioni i Gjyqtarëve: Kërcënim ndaj të gjithë magjistratëve!

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë ka reaguar në lidhje me ngjarjen e djeshme në Shkodër, ku gjyqtarit Tonin Stërkaj iu vendos tritol në portën e shtëpisë.

Reagimi i plotë:

Unioni i Gjyqtareve të Shqipërisë, si grupimi më i madh vullnetar, që ka për qëllim kryesor mbrojtjen e të drejtave të gjyqtarëve në Republikën e Shqipërisë shpreh shqëtësimin e tij në lidhje me ngjarjen kriminale të ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit në qytetin e Shkodrës, ku një sasi eksplozivi shpërthu në derën e banesës së kolegut tonë, gjyqtar Z.Tonin Sterkaj. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë uron që kolegu ynë Tonin Sterkaj dhe familjarët e tij të jenë mirë dhe shpreh mbështetjen e të gjithë anëtarëve gjyqtarë ndaj kolegut Z.Sterkaj.

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë dënon me forcë këtë akt të shëmtuar kriminal, i cili nuk drejtohet vetëm ndaj kolegut gjyqtar Z.Tonin Sterkaj por edhe ndaj të gjithë magjistratëve (gjyqtarë e prokurorë) në Republikën e Shqipërisë, të cilët me përkushtim dhe në kushte të një ngarkese jashtëzakonisht të lartë pune, presioni mediatik e politik, përpiqen çdo ditë të japin drejtësi.