Presidenti Biden: Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO

Presidenti Joe Biden, në një intervistë për CNN tha se se Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO. Sipas tij, lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se aleanca të shqyrtojë h...
Presidenti Biden: Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO
Foto: Presidenti Biden: Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO

Presidenti Joe Biden, në një intervistë për CNN tha se se Ukraina nuk është ende gati për anëtarësim në NATO. Sipas tij, lufta e Rusisë në Ukrainë duhet të përfundojë përpara se aleanca të shqyrtojë hyrjen e Kievit në radhët e saj.

Biden i tha Fareed Zakaria të CNN se ndërsa diskutimi për anëtarësimin e afërt të Ukrainës në NATO ishte i parakohshëm, SHBA dhe aleatët e saj në NATO do të vazhdojnë t’i ofrojnë presidentit, Volodymyr Zelensky dhe forcave të tij, sigurinë dhe armatimin që u nevojiten për t’i dhënë fund luftës me Rusinë.

Biden foli me Zakaria-n përpara udhëtimit të tij njëjavor në Evropë, i cili përfshin një samit të NATO-s në Lituani, ku lufta e Rusisë në Ukrainë dhe kërkesa e Zelenskit për anëtarësimin në NATO do të jenë ndër çështjet kryesore.

“Unë nuk mendoj se ka unanimitet në NATO nëse do të futet apo jo Ukraina në familjen e NATO-s tani, në këtë moment, në mes të një lufte,”- tha Biden.

“Ne jemi të vendosur të mbrojmë çdo centimetër territor që është i NATO-s. Është një angazhim që ne të gjithë e kemi bërë, pavarësisht kostove. Nëse lufta vazhdon, atëherë të gjithë jemi në luftë”.

Biden tha se ka folur me Zelenskyn gjatë për këtë çështje, duke theksuar se i ka thënë presidentit ukrainas se SHBA do të vazhdojë të ofrojë siguri dhe armatim për Ukrainën, siç bën për Izraelin.

“Unë mendoj se ne duhet të përcaktojmë një rrugë racionale që Ukraina të jetë në gjendje të kualifikohet për të qenë në gjendje të hyjë në NATO,” tha Biden, duke vënë në dukje se ai refuzoi kërkesat e presidentit rus Vladimir Putin para luftës për një angazhim për të mos pranuar Ukrainën sepse aleanca ka “një politikë të dyerve të hapura”.

Të premten, Shtëpia e Bardhë njoftoi se SHBA-ja, për herë të parë, po i dërgonte Ukrainës municione thërrmuese, një hap i ndërmarrë për të ndihmuar në shtimin e municioneve për ukrainasit, në kohën që ajo po ndërmerr një kundërofensivë ndaj Rusisë. Biden i tha Zakarias se ishte një “vendim i vështirë” për t’i dhënë Ukrainës municionin e diskutueshëm, por ai ishte i bindur se ishte e nevojshme sepse Ukrainës po i mbaronte municioni.

Takimi i NATO-s vjen edhe pasi Suedia po kërkon që t’i bashkohet aleancës perëndimore, një lëvizje që është përballur me rezistencë nga Turqia dhe Hungaria.

Biden i tha Zakarias se ishte optimist se Suedia përfundimisht do të pranohej në NATO, duke vënë në dukje se vendi kryesor, Turqia, po kërkon të modernizojë flotën e saj F-16, së bashku me Greqinë, e cila ka votuar për të pranuar Suedinë.

“Turqia po kërkon modernizimin e avionëve F-16. Dhe (kryeministri grek Kyriakos) Mitsotakis në Greqi po kërkon gjithashtu një ndihmë,”- tha Biden.

“Ajo që unë po përpiqem të bashkoj është paksa një konsorcium këtu, ku ne po forcojmë NATO-n në aspektin e kapaciteteve ushtarake të Greqisë dhe Turqisë dhe të lejojmë Suedinë të hyjë. Por është në lojë. Nuk është bërë ende.” CNN