Strategjia e re e Financave, Ervin Mete: Fokusi te forcimi i kontrollit mbi investimet dhe auditi i brendshëm

Strategjia e re e Financave, Ervin Mete: Fokusi te forcimi i kontrollit mbi investimet dhe auditi i brendshëm

Ministria e Financave prezantoi sot Strategjinë e tretë të Menaxhimit të Financave Publike, në të cilën synohet përmirësimi i mëtejshëm i kornizës së investimeve publike, forcimi i kontrollit të brendshëm.

Ministri i Financave, Ervin Mete, tha se “Reforma e Menaxhimit të Financave Publike synon të sigurojë një sistem financiar publik që promovon transparencën, llogaridhënien, disiplinën fiskale dhe efikasitetin në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe zhvillimin ekonomik”.

Ministri Mete theksoi faktin se në dekadën e fundit është shënuar progres i konsiderueshëm sa u përket reformave dhe masave të ndërmarra, gjatë zbatimit të dy strategjive të mëparshme të Menaxhimit të Financave Publike, ndërsa vendi ka ndërmarrë një sërë reformash të rëndësishme që kanë sjellë avancime domethënëse në procesin e integrimit evropian.

Në këtë kuadër, sipas Ministrit, edhe Plani i Rritjes, i miratuar së fundmi nga Parlamenti Evropian, do të shërbejë si shtysë për vijimin e reformave, shoqëruar kjo edhe me mbështetjen financiare për përshpejtimin e tyre.

Duke iu referuar Strategjisë së re, Ministri Mete informoi se disa prej synimeve të saj janë:

Gjatë fjalës së tij, Ministri bëri një përmbledhje të disa prej zhvillimeve kryesore ekonomike në vend dhe theksoi se Shqipëria po kalon një moment shumë të mirë ekonomik, treguesit kryesorë makroekonomikë kanë shënuar përmirësime të ndjeshme, ku borxhi publik në fund të vitit 2023 zbriti për herë të parë që nga viti 2011 nën nivelin 60% dhe pritet të vijojë trajektoren rënëse edhe gjatë viteve në vazhdim, ndërsa balanca primare u rikthye në pozitive dhe u shënua një përmirësim i ndjeshëm i bilancit të llogarisë korrente, ndikuar kryesisht nga performanca shumë e mirë e sektorit të turizmit dhe shërbimeve të lidhura me këtë sektor, si edhe investimeve të huaja direkte që arritën nivelin më të lartë, prej 1.5 miliardë euro.

“Ka vijuar performanca e mirë e të ardhurave edhe në muajt e parë të vitit 2024, përgjatë të cilit projektojmë të arrijmë në mbi 28% të PBB-së sa i përket mbledhjes së të ardhurave.

Gjithashtu, vitin e kaluar u shënua niveli më i ulët i detyrimeve të prapambetura prej rreth 1% në raport me shpenzimet, që nga momenti i nisjes së monitorimeve në vitin 2016, kjo edhe në kuadër të reformave të ndërmarra në zbatim të Strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike”, tha Ministri.

Strategjia e re për Menaxhimin e Financave Publike është publikuar për konsultim publik në fillim të muajit të kaluar dhe pritet të miratohet brenda 6-mujorit të parë të këtij viti, për të nisur më tej me fazën e implementimit të saj.