Meta inkurajon gazetarët: Mos u trembni! Rama është armik i fjalës së lirë

Meta inkurajon gazetarët: Mos u trembni! Rama është armik i fjalës së lirë

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta, ka deklaruar se Shqipëria është vendi i fundit në rajon në lidhje me lirinë e medias, referuar Indeksit Botëror të Lirisë së Medias.

Në një postim në rrjetet sociale, Meta shkruan se kryeministri Edi Rama është armik i fjalës së lirë dhe pavarësisë së medias.

Postimi i plotë nga Ilir Meta:

“Shqipëria e fundit në rajon edhe mes vendeve kandidateve për në Bashkimin Europian, sipas Indeksit Botëror të Lirisë së Medias.

Nga vendi i 85-të në vitin 2014, tani renditemi në vend të 99-të, me një klimë më të përkeqësuar për gazetarët. 
Asnjë surprizë!

Edi Rama është armik i fjalës së lirë dhe i pavarësisë së medias sepse ai është armiku kryesor i lirisë së çdo qytetari shqiptar, i votës së lirë, pluralizmit politik, demokracisë, shtetit ligjor dhe i barazisë para ligjit.

Duke dënuar me forcë dhunën, censurën, presionet dhe shantazhet gjithmonë në rritje ndaj medias së pavarur dhe kritike me Qeverinë, inkurajoj gazetarët të vijojnë pa u trembur misionin e tyre dhe i ftoj organizatat prestigjioze botërore të medias të monitorojnë edhe me më shumë vëmendje situatën e kolegëve të tyre në Shqipëri.

Pa liri të medias, nuk ka demokraci, llogaridhënie dhe transparencë!”, shkruan Meta.