Ekonomi dhe Peleshi inspektim në zonat e përmbytura në Durrës: Strukturat tona në terren!  Kërkojmë bashkëpunimin e banorëve

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi ishte sot në Njësinë Administrative  Katund i Ri në Durrës, një prej zonave më të dëmtuara nga dalja e lumit Erzen prej shtratit si pasojë...
Ekonomi dhe Peleshi inspektim në zonat e përmbytura në Durrës: Strukturat tona në terren!  Kërkojmë bashkëpunimin e banorëve
Foto: Ekonomi dhe Peleshi inspektim në zonat e përmbytura në Durrës: Strukturat tona në terren!  Kërkojmë bashkëpunimin e banorëve

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi ishte sot në Njësinë Administrative  Katund i Ri në Durrës, një prej zonave më të dëmtuara nga dalja e lumit Erzen prej shtratit si pasojë e reshjeve të shiut të këtyre ditëve. Gjatë takimit me banorët, ministrja Ekonomi shoqërohej nga ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi dhe kryetarja e bashkisë së Durrësit Emirjana Sako.

Pas përmirësimit të motit ditën e sotme, lumi Erzen është tërhequr në shtratin e tij, por shumë shtëpi mbeten ende nën ujë në këtë njesi, në bashkinë e Durrësit. Ministrja Ekonomi garantoi gatishmërinë e strukturave të Drejtorisë Rajonale të Ujitjes e Kullimit (DRUK), për të ndërhyrë në tërheqjen e ujërave nga zona. Por nga ana tjetër, ministrja e Bujqësisë ka kërkuar bashkëpunimin e banorëve të zonës për zhbllokimin e kanaleve të niveleve të treta.
 
“Këtu kemi një situatë ku duhet të bashkëpunojnë dhe banorët e zonës. Sepse nëqoftëse  vazhdojnë t’i mbajnë të mbyllura kanalet e treta, do të jetë e vështirë dhe për forcat e emergjencave civile, por dhe për banorët vetë, që uji të largohet me shpejtësi. Unë dua ti bëj thirrje banorëve por natyrisht duke bashkëpunuar me bashkinë që të kalojmë këtë situatë dhe më pas të nisim të mendojmë për veten dhe komunitetin e kësaj zone të Katundit të Ri që kjo situatë të mos përsëritet më”, tha ministrja Ekonomi gjatë vizitës. Gjithashtu ministrja Ekonomi vlerësoi dhe punën për menaxhimin e 3 hidrovoreve të qarkut Durrës, (Hamallaj, Synej dhe Greth) , të cilat kanë punuar me kapacitet të plotë gjatë këtyre ditëve.
 
Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi  siguroi gatishmërinë e FA dhe vuri theksin te mësimet që duhen nxjerrë me qëllim që reshjet e dendura dhe dalja nga shtrati i lumit Erzen të kenë sa më pak pasoja.
 
“Ne marrim detyra tona, komuniteti duhet të marrë detyrat e veta, kemi patur edhe debate me disa banorë, nuk mund t’i kërkojmë llogari bashkisë kur kanali shkarkues e bllokon për të bërë një copë rrugë.”- u shpreh ai.
 
Gjatë ditëve të fundit, Forcat e Armatosura kanë evakuuar disa familje në Katundin e Ri, një pjesë prej të cilave janë strehuar në Konvaleshencën e Durrësit.