SPAK merr të pandehur bashkëjetuesen dhe ish-bashkëshorten e Ahmetajt

Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza penale ndaj bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortores së Arben Ahmetajt, në procedimin penal në ngarkim ndaj këtij të fundit, që nisi si derivat i hetimeve për inceneratorët.
SPAK merr të pandehur bashkëjetuesen dhe ish-bashkëshorten e Ahmetajt

Prokuroria e Posaçme ka ngritur akuza penale ndaj bashkëjetueses dhe ish-bashkëshortores së Arben Ahmetajt, në procedimin penal në ngarkim ndaj këtij të fundit, që nisi si derivat i hetimeve për inceneratorët.

SPAK nuk ka dale ende me një komunikim zyrtar për rastin, megjithatë burime pranë strukturës së Posaçme thanë se ndaj partneres së Ahmetajt janë ngritur akuzat për veprat penale të pastrimit të produkteve të veprës penale dhe fshehjes e mosdeklarimit të pasurisë. Akuzat iu komunikuan avokatëve mbrojtës të bashkëjetueses së ish-numrit dy të qeverisë. Të njëjtat akuza ju komunikuan një ditë më parë edhe ish-bashkëshortes së Ahemtajt, e cila ishte prezentë fizikisht në SPAK.

 
Aktualisht, Gjykata e Posaçme, me kërkesë të SPAK, ka sekuestruar dy vila, një në Palasë dhe një në Hamallaj, dy llogari bankare, disa apartamente, mes tyre edhe atë në të cilin jeton ish-bashkëshortja e Ahmetajt. Pasuritë, sipas akuzës, janë produkte të korrupsionit të ish numrit dy të qeverisë Rama.

Arben Ahmetaj ndodhet jashtë Shqipërisë, ç’ka e ka bërë të pamundur ekzekutimin e masës së arrestit me burg, dhënë ndaj tij në mungesë. Sipas disa zërave mediatikë, ish-ministri e ka përfituar tashmë azilin politik në shtetit e Zvicrës. Në qëndrimet publike në rrjetet sociale, por edhe një intervistë televizive disa muaj më parë, ai i ka mohuar akuzat penale të ngritura ndaj tij. Kreun e qeverisë Edi Rama, e ka akuzuar se po tenton ta bëjë “kokë turku” për çështjen. Ahmetaj ka artikuluar se pronari faktik i incenratorit të Tiranës është Erion Veliaj, ndërsa personi që qëndron pas aferave, sipas tij, është vetë Edi Rama.