KQZ miraton specifikimet teknike për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit

Komisioni Rregullator në KQZ ka miratuar në mbledhjen e ditës së sotme specifikimet teknike të fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. Votuesit në Shqipëri do të votojnë me një fle...
KQZ miraton specifikimet teknike për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit
Foto: KQZ miraton specifikimet teknike për fletën e votimit në zgjedhjet e 25 prillit

Komisioni Rregullator në KQZ ka miratuar në mbledhjen e ditës së sotme specifikimet teknike të fletës së votimit për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.

Votuesit në Shqipëri do të votojnë me një fletë votmi me ngjyrë dhe formë të njëjtë për të gjitha zonat zgjedhore, ndërsa sasia e fletëve të votimit do të jetë aq sa numri i votuesve plus 2%.

Letra që do të përdoret do të përmbajë disa elemente sigurie dhe disa elemente teknikë që identifikojnë numrin serial, zonën zgjedhore dhe qendrën e votimit. 

Këto elemente teknikë nuk do të mund të lexohen me sy të lirë, ndërkohë që fletët e votimit do të prodhohen në blloqe pa kundërfletë.

“Komisioni Rregullator shqyrtoi projektvendimin “Për miratimin e specifikimeve teknike të fletës së votimit për zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë të datës 25 prill 2021”.

Rregullatori miratoi specifikimet teknike sipas të cilave, fletët e votimit duhet të jenë prej letre, me ngjyrë, trashësi ose elemente konfigurimi të tilla që të mos lejojnë leximin e votës në pjesën e pasme të saj, si dhe të përmbajnë elemente sigurie, sipas përcaktimeve me akt normativ të KQZ-së. Fleta e votimit përmban element teknik në formën e kodeve që identifikojnë zonën zgjedhore, qendrën e votimit, si dhe elemente të tjera identifikuese që nuk lexohen me sy të lire (barkod). Ato do të prodhohen në blloqe pa kundërfletë. Numri i serisë së bllokut të fletëve të votimit shënohet në dokumentin që shoqëron bllokun e ambalazhuar, sipas përcaktimeve të KQZ-së.”, thuhet në njoftim.