Kanosi me thikë fëmijët në Vlorë, reagon Policia, arreston agresorin

Kanosi me thikë fëmijët në Vlorë, reagon Policia, arreston agresorin

Policia e Vlorës ka reaguar në lidhje me ngjarjen që u raportua pasditen e djeshme në qytetin bregdetar, ku një i ri tentoi të sulmojë me thikë disa fëmijë në një park.

Lidhur me rastin Policia njofton se ka vënë në pranga agresorin 30-vjeçar, ndërsa shton se ky i fundit është dërguar në spitalin psikiatrik pasi dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor.

 
“Strukturat e Komisariatit të Policisë Vlorë, menjëherë kanë kryer verifikimet dhe kanë bërë të mundur identifikimin e shtetasit A. M., lokalizimin e tij, ditën e sotme, rreth orës 12:30, në zonën e Lungomares dhe shoqërimin në ambientet e Komisariatit. 

Në përfundim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 30 vjeç, banues në Vlorë.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një mjet prerës (biçak), që iu gjet 30-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.  


Shtetasi A. M. është dërguar në spitalin psikiatrik Vlorë, për trajtim mjekësor, sepse vuan nga sëmundje mendore”,- thuhet në njoftimin e Policisë.