Nga Enver Bytyçi: Dikur, standardet para statusit, tani asociacioni para marrëveshjes!

ENVER BYTYÇI Në fillimin e viteve 2000, bashkësia ndërkombëtare, në përpjekje për ta shtyrë zgjidhjen e statusit të Kosovës, hodhi idenë që para se të vendosej për statusin e Kosovës, të realizoheshin...
Nga Enver Bytyçi: Dikur, standardet para statusit, tani asociacioni para marrëveshjes!
Foto: Nga Enver Bytyçi: Dikur, standardet para statusit, tani asociacioni para marrëveshjes!

ENVER BYTYÇI

Në fillimin e viteve 2000, bashkësia ndërkombëtare, në përpjekje për ta shtyrë zgjidhjen e statusit të Kosovës, hodhi idenë që para se të vendosej për statusin e Kosovës, të realizoheshin shumë standard nga ana e saj. Standardet patën të bëjnë me implementimin e parimeve të lirisë e të demokracisë në Kosovë, sikur ajo do të pranohej sapo të shpallej e pavarur në BE!.

Shqiptarët e kuptuan lojën e zvarritjes së marrjes së vendimit për Kosovën dhe ishin të pakënaqur me këtë version në dukje perëndimor, por që shkonte në dobi të Beogradit. Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte! Më 17 dhe 18 mars 2004 Kosova e madje edhe Serbia u përfshinë në një konflikt të hapur midis tyre. U tha se shkak ishte mbytja e dy fëmijëve shqiptarë në lumin Ibër nga ana e strukturave paralele militare serbe te ura e këtij lumi. Por, burimi i revoltës ishte te perspektiva e munguar e shqiptarëve shumicë dërmuese në Kosovë.

E përmenda këtë fakt për të vënë një paralele me ato përpjekje diplomatike që po bëhen sot për Kosovën dhe pranimin e saj të plotë në bashkësinë ndërkombëtare. Pas një jave Kosova feston 15 vjetorin e pavarësisë. Dhe një muaj e dy ditë pas kësaj feste bëhen 10 vite që Brukseli dhe qendra të tjera perëndimore përsërisin refrenin “Asociacioni para marrëveshjes përfundimtare”! Madje tani po thuhet “Asociacioni para marrëveshjes së ndërmjetme”, të iniciuar nga franko-gjermanët e evropianet, si dhe të mbështetur nga amerikanët.

E njëjta skemë si në periudhën e pas luftës! Pa asnjë ndryshim! E njëkohësisht të njëjtat efekte negative si atëherë. Edhe sot popullsia e Kosovës, shqiptarë, serbë, boshnjakë, romë e të tjerë ndjehen të paarrirë, të parespektuar, të pa integritet për të drejtën e shtetësisë së plotë! Të gjithë qytetarët në mënyrën e vet e për arsyet e veta nuk e pranojnë këtë statukuo dhe këtë formulë. Të gjithë duan stabilitet, paqe e siguri. A ua jep këto formimi i Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë para njohjes së shtetit nga Serbia dhe para votës për anëtarësim në OKB të Këshillit të Sigurimit?!

Jo! Përkundrazi është mekanizëm i përkeqësimit të marrëdhënieve etnike dhe atyre Kosovë-serbi! Një asociacion i tillë nuk është mjet e as provë e promovimit të paqes. Atëherë pse ambasadori gjerman në Kosovë i kërkon Albin Kurtit ta implementojë menjëherë këtë lidhje? Pse nga ana tjetër ambasadori amerikan, Hill, në Beograd ia kërkon këtë me ngulm Kosovës?! A nuk e dinë këta se krijimi i asociacionit para njohjes dhe pranimit në OKB të Kosovës sjell konflikt?

Shumëkush sot e ka shndërruar retorikën e besimit të Amerika dhe Gjermania në një lloj argumenti gati tabu për ta pranuar asociacionin serb në Kosovë. Dhe në parim është gjithçka e kuptueshme dhe e arsyeshme. Duhet dhe mundet t’i besohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Britanisë së Madhe e madje edhe Francës, sado që me rezerva. Po nuk janë këto fuqi që garantojnë plotësisht të ardhmen e shtetësisë së Kosovës. Sepse garancitë duhet t’i japë Serbia dhe jo Amerika! Konflikti është me Serbinë dhe nuk është as me Europën, as me Amerikën. Pavarësisht se anti-amerikanët, që shndërrohen në pro-amerikanë kur favorizohet Serbia, akuzojnë qeverinë e zotit Kurti se “nuk paska besim te Amerika”!

Në fakt ngjarjet e 17-18 marsit 2004 janë mësim i mirë që për një kohë të gjatë të mungojë besimi te Serbia! Kush e garanton qeverinë dhe institucionet e Kosovës se Beogradi nuk do të provokojë dhunë e terror në Kosovë, si atëherë, për të realizuar qëllimin e grabitjes së territorit të Kosovës? A nuk ka shembuj pa fund destruktivizmi të Serbisë në këtë drejtim? Beogradi ende nuk i ka shuar strukturat e krimit në veri të Kosovës. Të njëjtat struktura si ato të vitit 2004 janë në veprim edhe sot. Beogradi nuk pranon njohjen e Kosovës. Sepse dëshiron ta vazhdojë luftën hibride të 15 viteve të shkuara për ta destabilizuar dhe rrënuar shtetësinë e saj. Beogradi nuk dëshiron marrëveshje përfundimtare e ndërkohë kërkon asociacion para njohjes, sepse dëshiron ta zhvillojë më tej projektin e tij të ndarjes së Kosovës!

Ndërkaq Hill e ambasadorët e tjerë në Beograd e në Prishtinë vazhdojnë t’i besojnë presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç! Ky i fundit derdh lot krokodili në parlamentin e Serbisë për t’u thënë diplomatëve ndërkombëtarë se “sa është i zënë ngushtë” nga fakti se qeveria e Kosovës nuk “bën kompromise”! Edi Rama, nga ana e tij, e shfrytëzon këtë skenë teatri komik e tragjik njëkohësisht për të thënë se vëllai i tij binjak “është në hall të madh”!

Ndërkohë qytetarët e Kosovës janë dhe mbeten në kurthin e asociacionit para marrëveshjes përfundimtare dhe nuk dinë, e as nuk do të dinë për një kohë, se cila do të jetë e ardhmja e perspektiva e tyre. Mjafton ky fakt për të mbjellë konflikt dhe trazira sociale në Kosovë, të ngjashme me ato të 17 e 18 marsit 2004!

Mos e përsërisni ju lutem skenarin e atij vit