‘Drejt së Ardhmes’, Veliaj: Tirana, një Amerikë e vogël e Shqipërisë! Çdo sfidë e kthyem në mundësi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i pranishëm sot në Vlorë, në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”, një platformë dialogu dhe shkëmbimi idesh me foku...
‘Drejt së Ardhmes’, Veliaj: Tirana, një Amerikë e vogël e Shqipërisë! Çdo sfidë e kthyem në mundësi
Foto: ‘Drejt së Ardhmes’, Veliaj: Tirana, një Amerikë e vogël e Shqipërisë! Çdo sfidë e kthyem në mundësi

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ishte i pranishëm sot në Vlorë, në Konferencën Ndërkombëtare “Drejt së Ardhmes: Qyteti im, Shtëpia ime”, një platformë dialogu dhe shkëmbimi idesh me fokus përfshirjen e komuniteteve në vendimmarrje dhe formësimin e së ardhmes. Në fjalën e tij, ai shtroi disa pyetje me të cilat përballen sot edhe qytetet dhe kryeqytetet më të zhvilluara në botë.

“Pyetja që ne kemi sot për qytetet është: Cila është e ardhmja e qyteteve? Zv/kryeministri e parashtroi, deri në vitin 2050, 70% e popullatës së botës do jetojë në qytet e nuk ka më nevojë për krah pune në bujqësi. Shumë prej proceseve të punës janë të mekanizuara. Atëherë, çfarë do ndodhë? Si do u përgjigjemi atyre që thonë “not in my backyard” (jo në bahçen time)?! Për sa kohë që destini i qyteteve është rritja, duhet të pranojmë që e kemi të pamundur të kthehemi në qytetet romake, apo greke, ku muret e qytetit ndanin qytetin. Kjo është diçka që do duhet të reflektojmë dhe si do përballemi me histerinë e atyre që, pasi bëhen të suksesshëm në një nga qytetet tona, ngrejnë zerin dhe thonë “boll më, se qyteti u mbush!””- evidentoi Veliaj.

Një tjetër pyetje e madhe sot është vlera e fqinjësisë, tha Veliaj, përgjigjen e së cilës më mirë se kushdo, e japin qytetarët ukrainas.

“Pyetja tjetër është: a kanë vlerë fqinjët? Vlera e tyre është vetëm simbolike, apo mos ndoshta ka ardhur koha të vlerësojmë sa e rëndësishme është fqinjësia? Imagjinoni të keni një fqinj sot që të jetë duke menduar si do të të pushtojë? Mjafton të pyesni kryebashkiakët e Ukrainës për të gjetur përgjigjen e kësaj pyetjeje. Ne jemi me fat me fqinjët tanë. Jemi me fat me fqinjësinë e Italisë dhe Greqisë. Ndaj do doja shumë që ky të ishte një moment reflektimi për të parë se si do avancojmë në qytetet tona,” nënvizoi kryebashkiaku Veliaj, në Konferencën ku të pranishëm janë dhe mjaft kryetarë bashkish të rajonit, por edhe europianë.