Akademia e Partizanit, shumë punë por zero talente

Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ Futbolli është i suksesshëm kur funksionojnë të gjitha hallkat. Pra, nga moshat deri tek ekipi i parë, sistemi zinxhir duhet të garantojë të sotmen dhe të nesërmen e një kl...
Akademia e Partizanit, shumë punë por zero talente
Foto: Akademia e Partizanit, shumë punë por zero talente


Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ

Futbolli është i suksesshëm kur funksionojnë të gjitha hallkat. Pra, nga moshat deri tek ekipi i parë, sistemi zinxhir duhet të garantojë të sotmen dhe të nesërmen e një klubi. Ndryshe, milionat e shpenzuara mund të garantojnë një sukses të përkohshëm për një sezon, por më pas gjithçka duhet të nisë nga zero. Pa llogaritur këtu financat, që vetëm firojnë.

E thënë ndryshe, kur funksionon vetëm ekipi i parë është si të ndërtosh catinë pa hedhur themelet. Po ndalemi tek akademia e Partizanit, ku bëhet shumë punë, por nuk ka nxjerrë asnjë talent prej 10 vitesh. Natyrisht, duhet përgëzuar Olsi Rama dhe Genc Tomori tani ndoshta dhe Dritan Dervishi për punën administrative, drejtuese e profesionale. Ia kanë dalë të krijojë një institucion fëmijësh të mirë në sasi, në numrin e skuadrave, në të gjithë moshat, por produkti final në ekipin e parë është i papërfillshëm.

Pse ndodh kjo? Kryesorja janë mungesa e terreneve. Të gjitha moshat e kuqe bredhin si çifuti në shkretëtirë për t’u stërvitur. Edhe në komplekset private ku shkojnë, iu japin oraret më të papërshtatshme. Në këtë pikë e mirëkuptojmë Olsi Ramëm dhe Genc Tomorin dhe gjithë stafin e përkushtuar, por prindërit paguajnë, Partizani paguan, talentet janë zero. Kjo gjë nuk shkon.

Nëse duan të marrin shembull të shohin nga Tirana, e cila ka kompleksin e vet dhe ka nxjerrë thuajse cdo vit një talent, që ka luajtur në ekipin e parë dhe pastaj është shitur jashtë. Besoj e kujtoni rastin e Mucit, por jo vetëm. Puna e Devi Mukës dhe akademisë bardheblu është për kornizë. Mirë terrenet, po cfarë duhet ndryshuar te moshat e Partizanit…

A kanë stategji, synime, disiplinë, trajnerë të përkushtuar e kualifikuar, programe stërvitore bashkëkohore? Këto janë probleme që duhen parë nga Olsi, Dritani, Genci etj.
Një klub i suksesshëm bazohet te shitja e talenteve. Vetëm Tirana në 4 vitet e fundit ka rimbursuar përmes këtij procesi mbi 2 milionë euro. Po Partizani?
Ne sensibilizojmë, nuk akuzojmë. Akademia e Partizanit ka nevojë të ndryshojë nga ujët e ndenjur ku është.

Besojmë se më shumë se kujtdo, kjo i dhemb Genc Tomorit, aq i përkushtuar e profesionist, ama, Parizani ka nevojë për talente…
Duhet revolucionarizuar projekti stërvitor, të orientohet nga krijimi i një sistemi, falë të cilit të fitojmë futbollistë shumë të kualifikuar dhe konkurrues do të shfaqen çdo vit në futbollin profesionist të FK Partizanit.

Metodat e reja të trajnimit, të zhvilluara nga UEFA dhe FIFA synojnë të përdorin përvojën metodologjike të shkollave kryesore të futbollit të huaj dhe ta përshtatin atë me kushtet tona.
Ka ardhur koha që sistemi i ri të përfshijë ndarjen e futbollistëve të rinj në tri kategori: mosha 6-9, 10-14 dhe 15-17 vjeç. Kjo po ndodh në botë dhe ka dhënë rezultate pozitive.

Kjo nënndarje do të optimizojë kërkimin e lojtarëve të talentuar në akademi dhe do të krijojë kushte për rritjen e tyre sportive në përputhje me kërkesat metodologjike të futbollit modern, me shpejtësi të lartë dhe me intensitet. Ky fokus i mungon sot Akademisë së Partizanit.

Mirë do të ishte një sistem i unifikuar garash për futbollistët e moshës 6 deri në 12 vjeç, i cili mund t’i ndihmojë trajnerët të vlerësojnë nivelin aktual të lojtarëve dhe të analizojë pikat e forta dhe të dobëta të tyre. Kjo metodologji kërkon analiza të hollësishme, deri në detaje, nuk bëhet pa terrene stërvitore dhe mjete didaktike. Prandaj, ngado të sillesh, gjuha vete ku dhemb dhëmbi… Pra, te kompleksi që do t’i heqë kujtdo cdo justifikim.

Shënim: Ftesë për debat.
Shpresoj që ky bashkëbisedim modest, ky hap për debat, të ngërthejë edhe profesionistët, të cilët janë të shumtë tek FK Partizani. Nuk mendoj se kam dhënë zgjidhje absolute, thjeshtë ide modeste.