Leksion ndërkombëtar mbi të drejtat e pronësisë intelektuale (IP) në Shqipëri

Studio ligjore Muja Law vazhdon me sukses misionin e saj në kontribuimin për promovimin e vlerave dhe përhapjen e tyre në audienca të ndryshme ndërkombëtare.
Gjatë ditës së sotme, partneri i studios Z.Eno Muja ndau mendimet dhe eksperiencën e tij në një leksion ndërkombëtar mbi të drejtat e pronësisë intelektuale (IP) në Shqipëri dhe më gjerë. Webinari tërhoqi shumë studentë dhe pjesëmarrës nga bota akademike.
Sesioni i zhvilluar ishte pjesë e një cikli leksionesh ndërkombëtare në memorial të Kryepeshkopit Joseph Attipetty, së fundmi i deklaruar Shërbëtor i Zotit, organizuar nga Zyra e Dekanit, Trajnimit dhe Zhvillimit, në Kolegjin St. Albert’s (Autonomous), Indi. Ky sesion u organizua në bashkëpunim me Departamentin e Tregtisë dhe Qendrën Kërkimore, Qendrën e Inkubacionit Albertian, IIC St. Albert’s dhe IEDC St. Albert’s.
Gjatë këtij webinari u dha një përmbledhje e shkurtër e koncepteve bazë të së drejtës së pronësisë intelektuale, si dhe u diskutuan disa nga problematikat që Shqipëria shfaq në këtë drejtim.
Pronësia intelektuale është një fushë e së drejtës, e cila së fundmi po gjeneron shumë interes nga individë dhe biznese të ndryshme dhe si e tillë, gëlon nga zhvillimet e doktrinës në botë, të cilat janë shpesh objekt i diskutimeve mes profesionistëve.
Edhe në Shqipëri, gjatë viteve të fundit, legjislacioni i pronësisë intelektuale ka pësuar ndryshime, të cilat jo vetëm që kanë përafruar legjislacionin vendas me atë të vendeve perëndimore, por nga ana tjetër kanë shtuar nevojën e diskutimeve të risive të sjella, për të konsoliduar praktikën ligjore në drejtim të një fushe, e cila është relativisht e panjohur për publikun shqiptar.