“Zotëria ishte pozitiv me Covid dhe vdiq në spital”/ Mjekja e QSUT denoncon: Në skedë iu shënua infarkt miokardi, kjo është fshehje

Një mjeke e cila ishte e pranishme në bashkëbisedimin e Bashës me kolegë ditën e sotme, në kuadër të situatës së Covid-19, tha se ka qenë prezente në një rast të cilin ajo e konsideron fshehje.

Mjekja specializante tha se një zotëri u diagnostikua me Covid-19 dhe më pas vdiq në spital, por në skedën e vdekjes së tij u shënua infarkt akut miokardi.

Duke mbështetur fjalët e kryetarit të PD, ajo tha se kjo gjë mund të konsiderohet fshehje pasi viktima nuk kishte sëmundje bashkëshoqëruese.

“Unë jam mjeke specializante në QSUT. Kam qëlluar që këto 10 muaj të jem dhe mjeke familje. Kur dëgjova denoncimin që bëtë ju në emision, u ndjeva keq me replikat që po ju bëheshin, sepse unë nuk është se kisha numër të madh rastesh të tilla, por në një rast kam qenë prezente.

Pacienti ishte sëmurë dhe i diagnostikuar me tampon pozitiv covid-19 dhe ka vdekur në spital, por në skedën e vdekjes të zotërizë, shkaku fillestar, i ndërmjetëm dhe përfundimtar është shënuar infarkt akut miokardi, dhe nuk është shënuar askund që ai ka qenë me covid-19. Nuk m’u duk fare normale dhe kjo është të fshehësh diçka, pasi ai nuk ishte me sëmundje të tjera të rënda bashkëshoqëruese përveç obezitetit.” – u shpreh mjekja.