Zgjedhjet në Kosovë, Presidentja Osmani pret në takim pasdite krerët e partive

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar për sot në një takim konsultativ krerët e partive politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. Takimi do të zhvillohet pasditen e sotme në orën 16:30 në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë vlerësimin në lidhje me ndikimin e procesit zgjedhor në gjendjen epidemiologjike në vend, përmes një letre drejtuar presidentes së vendit, Vjosa Osmanit. Në këtë letër drejtuar Presidencës, Task Forca e IKSHPK-së rekomandon shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të prezencës së variantit Delta në Kosovë. 

Takimi vjen disa ditë pas mbledhjes së partive të opozitës, të cilët u shqetësuan nga deklaratat e zyrtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, nga të cilët është konsideruar mundësia për shtyrjen e zgjedhjeve lokale për shkak të situatës me COVID-19. Kjo ide është shprehur për herë të parë nga kryeparlamentari Glauk Konjufca, i cili tha se po të pyetej ai, do t’i shtynte zgjedhjet, për shkak të numrit të madh të rasteve pozitive me koronavirus dhe vdekjeve.

Si opsion për të mos rënduar situatën me COVID në Kosovë, tri partitë opozitare kanë kërkuar që fushata elektorale për zgjedhjet në komuna të shkurtohet. Kryetari i LDK-së ka kërkuar që fushata të zgjasë vetëm 10 ditë, ndërsa Haradinaj ka shkuar edhe më tej, duke u mjaftuar edhe me 5 ditë. Ndërkohë që kreu i PDK-së, Memli Krasniqi ende nuk është deklaruar rreth kësaj çështjeje.

Zgjedhjet lokale parashihet të mbahen më 17 tetor të këtij viti, ndërkohë që palët kanë nisur me zyrtarizimin e figurave që do të garojnë. Por këto nuk do të jenë të parat zgjedhje në kohë pandemie, pasi edhe vjet Kosova më 14 shkurt zgjodhi qeverinë.