Zbardhen vjedhjet në tre kisha të Korçës, procedohen penalisht 2 adoleshentë

Dy adoleshentë janë proceduar penalisht në Korçë pasi janë zbardhur vjedhjet e kryera në 3 kisha të qarkut. Ngjarjet kanë ndodhur në 2 ditët e fundit dhe policia po ndjek penalisht aktualisht A.S 17 vjeç dhe D.S 16 vjeç.

Njoftimi i Plotë:

Korçë

Zbardhen vjedhjet në tre kisha, ngjarje të ndodhura dy ditët e fundit, në fshatrat e Korçës.

Procedohen penalisht dy autorët e dyshuar, për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë, në vijim të punës për dokumentimin e plotë të ngjarjeve të ndodhura dy ditët e fundit, ku në tre fshatra të rrethit të Korçës u vodhën kishat e tyre, bënë të mundur identifikimin e autorëve të dyshuar dhe filluan procedimin penal në ngarkim të tyre konkretisht shtetasve A. S., 17 vjeç ( i dënuar më parë për vjedhje) dhe D. S., 16 vjeç, banues në fshatin Goskovë, Korçë.

Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë vjedhur në kishën e fshatit Ravonik 5000 lekë dhe një kasafortë metalike, në kishën e fshatit Porodinë 1500 lekë, si edhe kanë tentuar të vjedhin një objekt kulti në rrugën Polenë-Dërsnik.

Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe sekuestruan prova që dokumentojnë autorësinë e dy shtetasve në këto vepra penale.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.