Një ngjatje e rëndë ka ndodhur pasdite e së premtes ku u qëlluan me armë një makinë, e cila doli nga rruga.
Sipas informacioneve mësohet se në makinë po udhëtonte prokurori Arjan Ndoja dhe Landi Muharremi, i njohur ndryshe si ‘i forti i Sukthit’, si dhe shoferi Andi Maloku.
Të tre këta persona mbetën të plagosur nga breshëria e plumbave në autostradën Tiranë-Durrës.
Menjëherë pas ngjarjes policia është angazhuar për të zbuluar autorët e atentatit. Sipas të dhënave paraprake deri tani është arritur të gjendet makina me të cilën u krye atentati. Ajo ishte lënë e braktisur pranë varrezave të fshatit Shkafanë të Ishmit, në Durrës, e cila dyshohet se i përket autorëve të sulmit. Hetuesit kanë gjetur brenda saj dy kallashnikovë, dy maska dhe një shishe me benzinë. Ndërkohë që mësohet se makina ishe deklaruar e vjedhur në Tiranë.
Fillimisht u dyshua se shënjesta e atentatit ka qenë prokurori Arjan Ndoja, por diçka e tillë u mohua kategorikisht nga vetë prokurori gjatë dëshmisë në polici.
Ndërsa tashmë pista kryesore e hetimit është përqendruar në luftën që po zhvillohet për kontrollin e Kadastrës së Durrësit dhe veçanërisht në konfliktin për pronat në Gjirin e Lalëzit. Gjë e cila ka bërë që grupi hetues të mendojë se shënjestra e atentatit ka qenë Landi Muharremi dhe jo prokurori Ndoja.
Nuk është hera e parë që emri i Muharremit përmendet nga policia, pasi dy vite më parë ai rrahu barbarisht biznesmenin libanez, Faad Mitri. Ndërkohë që konfliktet për pronat në Gjirin e Lalzit kanë qenë të vazhdueshme.
Së fundmi në Kadastrën e Durrësit ka pasur arrestime të shumta pikërisht për korrupsionin dhe shkeljet në lidhje me pronat.