Sardian Sulejmani, anëtar i bandës së Durrësit u lirua nga burgu i Fierit 3 muaj më parë.
Sipas vendimit të gjykatës, Sulejmani është liruar për sjellje të mirë, nuk ka qenë i dënuar më parë, nuk ka probleme me përdorimin e alkoolit, ndërkaq një tjetër arsye është edhe premtimi për të lidhur një kontratë pune pasi të dalë nga burgu. Një tjetër arsye e lirimit të parakohshëm ka qenë edukimi i tij dhe fakti që ka babain e sëmurë.
“Urdherohet lirimi i menjehershem i të dënuarit Sardian Sulejmani nga IEVP Fier. Gjykata e Fierit vendosi pezullimin e ekzekutimit të pjesës së mbetur të dënimit të të dënuarit Sardian Sulejmani prej 4 vjet 10 muaj e 17 ditë burgim, me kusht që gjatë një afati prove të barabartë me pjesën e mbetur të dënimit, i dënuari Sardian Sulejmani të mbajë kontakte me Zyrën Vendore të Shërbimit të Provës dhe të mos kryejë asnjë vepër tjetër penale”, thuhet më tej në vendim.
Sulejmani është liruar nga burgu i Fierit prej tetorit të 2019 dhe prej 3 muajsh qëndron i lirë. Ai ishte dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Lartë. Mësohet se ai akuzohet për ‘vrasje me paramendim të mbetur në tentativë’ pasi ka tentuar të eliminojë kreun e bandës së Durrësit Lulzim Berishën dhe Avni Gashin në Tiranë. Anëtari i bandës së Durrësit ka kryer 20 vite burg ndërsa 5 vite i janë falur për sjellje të mirë.
Arsyetimi i plotë i gjykatës:
Gjykata ka arritur në konkluzionin se riintegrimi i të dënuarit Sardian Sulejmani në shoqëri, është i mundshëm për arsyet e mëposhtme:
1-Gjatë 1-2 viteve të fundit që ka vuajtur dënimin në IEVP ka shfaqur sjellje korrekte me bashkëvuajtësit si dhe me punonjësit,duke respektuar rregulloren dhe ligjet në fuqi,duke treguar kështu që është arritur qëllimi për edukimin e tij.
2-Nga vërtetimi i gjëndjes gjyqësore figuron se i dënuari Sardian Sulejmani nuk ka qenë më parë i dënuar.
3-I dënuari nuk rezulton të ketë probleme me përdorimin e alkoolit, apo të lëndëve narkotike, faktor i cili ndikon ne proçesin e riintegrimit të të dënuarit në shoqëri dhe shërben si faktor parandalues në kryerjen e sjelljeve devijante në shoqëri.
4-I dënuari ka paraqitur një premtim për lidhje kontrate pune dhe shprehet se është i motivuar për të punuar dhe për të siguruar të ardhura për familjen.
5-Gjendja shëndetsore e të atit të të dënuarit nuk është e mirë, pasi ka probleme me zemrën, për të cilën ka qënë disa herë i shtruar në spital. /apel.media