Xhevdet Zekaj: Pa frikë, Polonia ka vetëm Lewandowskin më të mirë se ne

Nga prof. dr. XHEVDET ZEKAJ


Armando Broja meriton notën 10, pa diskutim. Goli i fitores tepër të çmuar ndaj Hungarisë ishte “shpikje” individuale e tij. Me atë driblim të rrufeshëm në krah dhe pastaj gjërat e tjera në zonën kundërshtare, përfshirë dhe goditjen, janë për kornizë, për leksion futbolli. Me siguri, hungarezëve do t’u dalë si makth në gjumë për shumë kohë, sepse i ndëshkoi dy herë në mënyrë “klinike” brenda dy muajve. E thënë ndryshe, i nxori loja për kualifikim.

E ç’mund të thuash për një lojtar 20-vjeçar, pronë e kampionëve të Europës në fuqi, tek i cili beson Chelsea, që i ofroi kontratë 4-vjeçar kësaj vere. Mjaftojnë këto fakte për të mos e diskutuar formacionin titullar në kombëtaren kuqezi. Meqë paska qenë i dëmtuar dhe pa stërvitje pardje, trajneri Reja është i “amnistuar” kësaj radhe, që e hodhi në fushë në minutën e 66-të. Edhe pse në këtë situatë jo komode, Broja kurorëzoi mubndin, djersën dhe dominimin e kombëtares. Pikërisht lojtarët e mëdhenj bëjnë të tilla kapërcime, vendosin fatin e ndeshjeve.

Duhet nënvizuar se ndaj Hungarisë, kuqezinjtë u paraqitën si një ansambël perfekt, me një dirigjent plot kualitet si Broja. Keqardhje e madhe që kemi humbur Gjimshitin për kualifikuesen e 12 tetorit, sepse ishte më i mundshmi për ta markuar Lewandowskin. Me siguri do të jetë mungesë e madhe. Sidoqoftë, lojtarët e tjerë do të luftojnë edhe për atë, që t’i mbyllin me 6 pikë kualifikueset e këtij muaji. Duhet festuar sonte, sepse e meritojmë, por nga nesër nisin përgatitjet për sprovën delikate me Poloninë, të cilën e kemi pas vetes aktualisht në klasifikim.

Së pari duhet larguar euforia, që na ka dëmtuar në jo pak raste. Të futemi në fushë me respekt për Poloninë, por pa asnjë frikë. E kemi pranuar të gjithë se rezultati i ndeshjes së parë me kundërshtarin e radhës ishte i rremë. Përveç Lewandowskit, jemi më lart se polakët si skuadër. Të mos harrojmë se kemi barazuar me Poloninë e Boniekut, pse të mos kemi sukses edhe në ditët e sotme, kur asgjë nuk iu mungon kuqezinjve. Sigurisht, do të jetë si një finale, por kemi një armë plus në “Air Albania”, tifozërinë kuqezi.

Fitorja në Budapest me siguri i ka karikuar maksimalisht edhe ata, si futbollistët, për ta bërë më së miri detyrën më 12 tetor. Mbështetja e tyre është vendimtare në kësi ndeshjesh. Fitorja do të ishte “qershia mbi tortë”, por edhe barazimi nuk na nxjerr jashtë loje. Shanset janë në favorin tonë, ta mbyllim të dytët dhe pastaj të shpresojmë te mrekullia në “play off”. Botërori i Katarit nuk ka qenë më pranë se aktualisht në këto eliminatore.