Vuçiç telefonon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s/ Quan “pushtim” prezencën e forcave speciale të Kosovës në kufirin me Serbinë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka biseduar sot në telefon me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i kontaktuar nga ky i fundit.

Vuçiç, pas bisedës, e quajti “pushtim” prezencën e forcave speciale të Policisë së Kosovës në pikat kufitare me Serbinë, ndërsa tha se Serbia s’ka nevojë ta pyes askënd për avionët ushtarakë që përshkuan qiellin mbi pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

“Pushtimi i plotë me automjete të blinduara në veri të Kosovës, i cili po udhëhiqet nga Prishtina, po vazhdon për ditën e shtatë me radhë”, tha Vuçiq.

“Sidoqoftë, të gjithë papritmas shqetësohen kur shohin helikopterë dhe aeroplanë serbë, sepse mendojnë se ata nuk duhet të ekzistojnë, ose nuk duhet të ngrihen derisa Kurti ose dikush nga bashkësia ndërkombëtare ta miratojë këtë”, u shpreh presidenti serb, raporton B92.

Ai theksoi sërish formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.“Serbia respekton të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare që i ka nënshkruar, Serbia gjithmonë do të veprojë me përgjegjësi dhe seriozitet, por Serbia ende pyet kur do të fillojë formimi i Asociacionit dhe kur njësitë e blinduara të Kurtit do të tërhiqen nga veriu i Kosovës”, tha Vuçiç.