
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka pritur sot senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters dhe në bisedë ka theksuar se Serbia është e përkushtuar për zhvillimin e bashkëpunimit më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në të gjitha fushat me interes reciprok.
Shërbimi për Media i Presidentit të Serbisë njoftoi se senatorët shprehën ngushëllimet e tyre për ngjarjet e fundit tragjike në Serbi dhe, duke pasur parasysh iniciativën e senatorit Murphy për kontrollin e armëve pas të shtënave masive në një shkollë në shtetin e Connecticut ata shkëmbyen mendime për masat e ndërmarra nga autoritetet serbe.
Gjatë takimit u bisedua edhe për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa Vuçiç theksoi se tani prioritet është formimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Presidenti posaçërisht theksoi se Beogradi ka treguar seriozitet dhe përgjegjësi në procesin e dialogut që nga fillimi, përkundër provokimeve të vazhdueshme dhe lëvizjeve të shumta të njëanshme të Prishtinës, të cilat pengojnë gjetjen e një zgjidhjeje kompromisi dhe të qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.
Duke folur për situatën aktuale gjeopolitike dhe të sigurisë në botë, Vuçiç përsëriti se Serbia mbetet e përkushtuar ndaj një politike të qëndrueshme të mbrojtjes së interesave kombëtare dhe shtetërore, si dhe respektimit të parimeve të integritetit territorial dhe sovranitetit të shteteve.
Ai shtoi se është me interes kyç për Serbinë ruajtja e stabilitetit në rajon, agjendat pozitive dhe forcimi i bashkëpunimit rajonal në të gjitha fushat, veçanërisht në fushën e ekonomisë, ku Serbia, përmes iniciativave si “Ballkani i Hapur”, vazhdimisht dhe me këmbëngulje promovon një politikë të orientuar drejt së ardhmes, duke u fokusuar në bashkëpunimin me përfitim reciprok.