Vrau të dashurin e motrës pasi i kapi mat në kasolle, Esat dhe Elida Cani merren të pandehur

Ngjarja e  rëndë një vit më parë, ku shtetasi Esat Cani vrau shtetasin tjetër Arben Gjeçin, tronditi Zall-Bastarin,  pasi ky i fundit kishte një marrëdhënie me motrën e tij, e cila ishte e martuar.

Të pandehur për këtë çështje janë marrë, Elida Cani, Esat Cani dhe Dëfrim Kurti

Ata akuzohen për “Plagosje të rëndë me dashje”, “Veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës” dhe “Prodhim e shitje lëndësh narkotike”.

Sipas dosjes së Prokurorisë Arben Gjeçi kishte një lidhje jashtëmartesore me Elida Canin. Marrëdhënia është pikasur nga Esat Cani, i cili filloi të ndiqte lëvizjet e 34-vjeçarit.

Ditën e vrasjes, Gjeçi i ka dhënë një gotë raki Kurtit dhe më pas është larguar drejt shtëpisë së Elida Canit. Kjo e fundit e priste në ambientet e jashme të banesës.

Vëllai i Elidës i gjeti të dy në kasolle, pasi kishin kryer marrëdhënie intime dhe më pas goditi në kokë me shufër hekuri 34-vjeçarin, duke i marrë jetën.

Të pandehurit janë munduar të fshehin provat, rrobat me gjak si edhe telefonin. Ndërsa Elida mbuloi me tallash gjurmët e gjakut në kasolle.

Dëshmia e Elida Canit: Ne kishim një lidhje prej disa muajsh, atë natë e kishim lënë për t’u takuar. Burri nuk ishte në shtëpi, pasi ndodhej në lokal, ndërsa vjehrrin dhe vjehrrën i kishte zënë gjumi. Doja ta anuloja takimin, por Arbeni nuk pranoi dhe më kërkoi që të takoheshim. Me Dëfrim Kurtin jemi martuar para dy vitesh. Arbeni erdhi kur im shoq nuk ishte në shtëpi. Vendi ku takoheshim ne të dy është një dhomë e veçuar nga shtëpia. Pata merak se mos vinte burri dhe i thashë Arbenit, por ai më tha të rrija e qetë se burri po pinte kafe. Kryem marrëdhënie dhe kur po vishej më tregoi se kishte qenë i frikësuar gjithë ditën, pasi kishte pasur idenë që dikush po e ndiqte. Nuk pashë askënd se kush e qëlloi, sepse aty është një mur që s’të lejon të shikosh. Dola me vrap dhe e pashë të përpëlitej, hodha sytë ngado, por nuk pashë askënd. Arbeni gjendej aty në mes të pellgut me gjak. Në lidhje me ngjarjen unë shpjegimet do i jap vetëm në prani të avokatit. Jam e traumatizuar nga ngjarja që ka ndodhur. Mua më tha burri që të fshija gjakun dhe e fshiva. Jam e penduar, më shumë do të flas në gjykatë.

Dëshmia e Esat Canit: Një ditë kur u ktheva nga Greqia, ishim si pasagjerë në makinën që drejtonte Arbeni. Bashkë me mua ishte edhe ime motër dhe e fejuara ime. Arbeni po sillej çuditshëm dhe unë aty në atë çast dyshova se ai ose ishte lidhur me motrën time ose me të fejuarën time. Ditën e ngjarjes dola nga banesa dhe i thashë babait që po iki për në punë, kur po kaloja te lokali, pashë furgonin e tij, por jo atë. Aty dyshova, vajta i thashë pronarit do të iki se kam babanë sëmurë, por ai më tha se nuk ka leje, por unë ika. Në këtë moment shkova në shtëpi mora një shufër hekuri dhe ika të shtëpia e motrës dhe qëndrova pas kashtores. Nga ai pozicion pashë te dera ku depërtonte drita një lëvizje, pasi u hap dera doli Arben Gjeci. Ai më pa dhe filloi që të qeshte me ironi. Unë e godita me hekur pas koke dy tre herë dhe ika qetësisht në shtëpi. Kur ika në shtëpi e hodha shufrën. Babai më pyeti se çfarë ke, i thashë nuk kam gjë dhe shkova që të fle, nuk kam pasur qëllim që ta vrisja, por ta rrihja që të vuante ca kohë.

Dëshmia e kunatit të autorit Dëfrim Cani: Më telefonoi Elida (gruaja) dhe më tha hajde më dërgo te shtëpia ime. Unë kisha lëvizur nga ai lokal dhe ndodhesha pak larg, në një lokal tjetër, 20 minuta larg shtëpisë. I thashë kam punë tani, herë tjetër. Ajo më telefonoi sërish duke qarë më tha hajde shpejt, në shtëpinë tonë gjendet një burrë i gjakosur, dikush ka qëlluar Arben Gjecin. Pastaj më tha sërish me mua bëj ç’të duash, ai ishte tek unë. Kur shkova e pyeta nëse dinte gjë mami dhe babai dhe për shkak të fjalëve që mund të hapeshin në fshat vendosëm që të tregonim skenarin që Arbeni ishte plagosur në rrugë dhe e nxorëm trupin jashtë banesës./apel.media