Vrau pronarin në 2014 për një gomë, arrestohet ish-agjenti i SHIS

Ish-agjenti i SHISH, Xhevahir Mzhika është arrestuar ditën e sotme në Tiranë, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Florian Selmanit në vitin 2014. Ai u kap në rrugën “Babë Rexha”, anës lumit, dhe në momentin e ndërhyrjes së Policisë ka tentuar të largohet, por është neutralizuar nga efektivët.

Ngjarja ndodhi më 16 gusht të 2014 te isha Fusha e Aviacionit, ku shkak u bë sherri pas blerjes së një gome të përdorur nga Mzhika në servisin që administrohej nga viktima Florian Selmani.

Kjo gomë plasi në rrugë, duke  bërë shkak i një aksidenti ku u lënduan lehtë disa anëtarë të familjes së ish-agjentit të SHISH. Kjo bëri që mes Mzhikës dhe Selmanit të lindin disa kontradikta, duke sjellë dhe përdorimin e armës nga ana e agjentit, i cili qëlloi me një plumb në kokë pronarin e gomisterisë duke e lënë të vdekur në vend.

Pas kësaj Xhevahir Mzhika u largua në drejtim të paditur, deri sa u arrestua ditën e sotme.