Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë shpallet Park Kombëtar me mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare

Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë u shpall sot Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të sëcilit, Lumit Vjosa-Aoös, nga burimi i t...
Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë shpallet Park Kombëtar me mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare
Foto: <strong>Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë shpallet Park Kombëtar me mbrojtje të plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare</strong>

Vjosa, lumi i fundit i egër në Europë u shpall sot Park Kombëtar (Kategoria II e zonave të mbrojtura mjedisore), në bazë të sëcilit, Lumit Vjosa-Aoös, nga burimi i tij deri te derdhja në det, duke përfshirë të gjitha degët, i ofrohet mbrojtje e plotë kombëtare dhe ndërkufitare, sipas standardeve më të larta ndërkombëtare dhe ruhet efektivisht si një lumë i gjallë, i egër, me rrjedhje të lirë, në dobi të njerëzve dhe natyrës në Shqipëri, Greqi dhe në botë.

Ceremonia e posaçme u zhvillua në Tepelenë me pjesëmarrjen e Kryeministrit Edi Rama, Ministres së Turizmit dhe Mbrojtjes sëMjedisit Mirela Kumbaro, Kryetarëve të bashkive të qarqeve Gjirokastër, Fier dhe Vlorë, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare mjedisore, përfaqësuesve të trupit diplomatik e tëftuarve të tjerë. 

Vjosa, do të jetë një Park Kombëtar unik për Shqipërinë po edhe për Europën, i cili e fut vendin tonë në një tjetër kategori të hartës turistike europiane dhe hap një tjetër rrugë të re për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik e social.

Kryeministri Rama e vlerësoi këtë akt, si një moment historik për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën.

* * *

Ky është një moment realisht historik në përpjekjen për mbrojtjen e natyrës dhe për transformimin e mendësisë lidhur me natyrën si një hapësirë e përbashkët ku zhvillimi ekonomik, zhvillimi social dhe trashëgimia për brezat që vijnë si një stafetë e mirëqenies, mund të shihet dhe duhet të shihet krejt ndryshe nga sa rëndom jemi mësuar, duke e kërkuar tek shfrytëzimi pa kriter dhe pa karar i natyrës.

Ky është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm për vendin tonë sepse sanksionojmë atë që kemi dëshiruar shumë qysh në krye të herës, atë për të cilën jemi zotuar kur kemi marrë mandatin për të qeverisur dhe atë që për ta bërë realitet na u desh kohë, pasi nuk është një vendim i lehtë, është një vendim i vështirë për njëmijë e një arsye, shpalljen e Vjosës “Park Kombëtar”.

Më vjen shumë mirë që ia dolëm kësaj ndërmarrjeje jashtëzakonisht sfiduese dhe patjetër që i jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që kontribuuan për të ardhur deri këtu, ku dua të veçoj në mënyrë të posaçme dy njerëz, Mirelën, ministren e Turizmit dhe Mjedisit dhe Adelinën, drejtoren tonë të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit, të cilat me shumë këmbëngulje dhe me shumë durim bashkërenduan shumë forca që u bënë bashkë në këtë proces.

Sot ne mbrojmë përgjithmonë lumin e fundit të egër të Europësdhe në këtë rrugë për të ardhur deri këtu, patëm shumë europianë që pasi i zbutën lumenjtë e tyre të egër për t’i shfrytëzuar siç e panë të arsyeshme, u turrën nga Vjosa që ta mbrojnë nga zbutja, Shumë europianë që pasi i kthyen tigrat e natyrës së tyre në mace shtëpiake, u turrën drejt nesh që të mos guxojmë të zbusim tigrin tonë.

Është kënaqësi që edhe atyre iu japim mundësi që përmes Vjosës të bëjnë një larje, sado të sipërfaqshme të ndërgjegjes së tyre, ashtu sikundër është shumë kënaqësi që mes tyre ne kemi pasur fatin të njohim dhe të takojmë njerëz të cilët janë vërtetë bekimi i këtij planeti, siç është Ryan këtu që shet rroba në të gjithë botën dhe bën miliarda, por në të njëjtën kohë, ka një shqetësim “genuine” për të kontribuar për këtë planet i cili është në një udhëkryq shumë të rrezikshëm apo edhe të tjerë si Ryanse nuk po i përmend të gjithë me radhë, me të cilët jemi shumë të lumtur që të mund të bashkëpunojmë.

Unë dua ta them sesa çu përpoq ta thoshte Mirela; unë shpresoj që të gjithë këta, me Ryan në krye, të mos ikin tani në drejtim të paditur pasi e garantuan që tigri nuk do të bëhet mace, por të qëndrojnë këtu me ne për të vazhduar që këtë pasuri të madhe ta kthejmë në mirëqenie, ta kthejmë në burim zhvillimi ekonomik, social dhe ekologjik të qëndrueshëm dhe në një model për të gjithë, për të gjithë në Shqipëri dhe përtej Shqipërisë.

Sot, Shqipëria ka 21% të territorit zonë të mbrojtur. E kemi gjetur me shumë më pak kur ne morëm detyrën dhe çdo vit kemi rritur sipërfaqen e zonës së mbrojtur dhe objektivi ynë është që ta çojmë në 30% territorin e vendit tonë që është zonë e mbrojtur. Është një objektiv shumë ambicioz, por nga ana tjetër të krijosh zona të mbrojtura nuk do të thotë që t’i presësh njerëzve që jetojnë në ato zona apo komuniteteve që kanë bekimin e atyre zonave pranë, rrugët e zhvillimit të tyre ekonomik dhe social. Nuk do të thotë që të kthesh dhe njerëzit në gjendje të egër, por përkundrazi, do të thotë që tu japësh atyre një perspektivë të re zhvillimi për të cilën nuk mjafton të kesh Vjosën, por duhet dhe të dish sesi.

Këtu bëhet e domosdoshme gjetja e partnerëve dhe aleatëve të ditur dhe vlera e madhe e shtuar që Patagonia dhe personalisht Ryan që është këtu së bashku me të tjerët është pikërisht dija, është pikërisht eksperienca e madhe dhe të jetuarit në kërkim të vazhdueshëm të rrugëve me eficencën më të lartë për të sjellë më shumë ekonomi dhe më shumë sukses social për njerëzit që jetojnë në këto zona të mbrojtura apo që janë pranë këtyre zonave të mbrojtura.

Ne sot jemi shumë krenarë për shumë gjëra që kemi bërë në funksion të mjedisit, në funksion të natyrës, në funksion të marrjes në mbrojtje të pasurive, të vlerave dhe të jetëve të specieve të panumërta që ka Shqipëria.

Shqipëria është i vetmi vend në Europë sot me një moratorium absolut për gjuetinë prej tanimë shumë vitesh. Vendosëm ta ndalojnë gjuetinë dhe kemi një ripërtëritje të ndjeshme dhe shumë frymëzuese të faunës sonë në të gjithë territorin.

Shqipëria është në moratorium të pyjeve, por patjetër që këto nuk mjaftojnë dhe na duhet një tjetër reformë për menaxhimin e pyjeve, për t’i kthyer pyjet në mirësi dhe mirëqenie për të gjithë brezat, jo në zona ku vetëm disa të babëzitur që gllabërojnë sot për sot përfitojnë, ndërkohë që të tjerët dëmtohen përjetë.

Për të mos e zgjatur më tutje, dua të them dhe domosdoshmërinë që ka ky park kombëtar për të patur një qendër ekselence, një qendër e cila të jetë qendër e kërkimit shkencor, të jetë qendër e projekteve të zhvillimit të jetë qendër të koordinimit të të gjithë burimeve të dijes, për mënyrën se si duhet menaxhuar në shekullin XXI, në këtë kohë sfidash kaq të mëdha një Park Kombëtar i këtyre përmasave.

Mos harrojmë se janë 12 700 e kusur hektarë park, është një park gjigand i cili përshkon praktikisht gjithë trupin e vendit dhe jemi në një bashkëbisedim shumë inkurajues edhe me fqinjët tanë, me Greqinë, me kryeministrin, me ministrin e Mjedisit në Greqi, për të ndërtuar një sinergji përtej kufirit dhe për ta trajtuar këtë territor, këtë shtrat të Vjosës që nuk fillon në Shqipëri, por është matanë kufirit si një pasuri të përbashkët dhe për të investuar bashkërisht në radhë të parë dijen, por pastaj edhe financat. Janë 80 milionë dollarë të para që do të vendosen në dispozicion të këtij parku për të bërë të mundur që të gjitha bashkitë dhe të gjitha komunitetet e këtyre bashkive që i përshkon lumi i Vjosës, të mos derdhin më ujërat e zeza në lumë, që do të thotë një projekt masiv për kanalizimet në të gjitha këto bashki dhe për pastrimin dhe përpunimin ujërave të ndotura.

Ashtu sikundër, pjesë e kësaj shume do të jetë edhe mbështetjet financiare me grante apo me kredi shumë të buta për bizneset qe do të zhvillohen në këtë territor, që natyrisht do të jenë biznese të reja dhe biznese pranë natyrës, jo biznese të rënda dhe që shkojnë në kundërshtim me logjikën e gjithë këtij  transformimi të madh.

Nga ana tjetër, ne kemi një shembull fantastik. Unë e kam biseduar me Ryan që kur jemi takuar herën e parë, që është parku i Butrintit.

Parku i Butrintit është një model suksesi për mënyrë se si njerëz të angazhuar për trashëgiminë kulturore me nënshtetësi të tjera dhe që jetojnë në vende të tjera, bashkohen me qeverinë, bashkohen me autoritetet vendore, krijojnë një strukturë dhe një sinergji dhe bëjnë të mundur kanalizimin edhe të fondeve që vijnë nga burime të ndryshme për të bërë maksimumin për një pasuri, që s’është vetëm një pasuri e Shqipërisë dhe shqiptarëve, por është një pasuri  e të gjithë planetit dhe mbi bazën e kësaj eksperience unë shpresoj që edhe me Patagonian në radhë të parë, pastaj edhe me partner të tjerë ne të ndërtojmë fondacionin e Vjosës dhe ky fondacion i Vjosës të jetë një fondacion i forcave të përbashkëta i cili të bëjë menaxhimin e të gjitha resurseve, të përcaktojë planet e zhvillimit, të vendosë mbi çfarë ndërtohet dhe çfarë nuk ndërtohet dhe të mos i ngelë në dorë asnjë qeverie dhe asnjë bashkie si autoritete më vetë, asnjë vendim i pakonsultuar dhe i padakordësuar dhe natyrisht në funksion të kësaj, është edhe edukimi, edukimi i më të rinjve dhe i brezave të tjerë për atë që po bëjmë dhe për atë që kjo do të sjellë në të ardhmen sepse siç e thashë qysh në fillim, kjo është një betejë për të ndryshuar mendësinë. Të mbrosh një zonë nuk do të thotë të sanksionosh shkëputjen e saj nga ekonomia e vendit, përkundrazi, do të thotë ta trajtosh ndryshe zhvillimin ekonomik në një qasje komplet tjetër dhe fakti është që parqet kombëtare sjellin 20% më shumë turistë sesa e njëjta lloj natyre, por që nuk është zonë e mbrojtur dhe e trajtuar si park kombëtar.

Kështu që jemi në një ditë shumë të mirë sot, por është një sfidë jashtëzakonisht e madhe. Është një sfidë jashtëzakonisht e madhe dhe është një sfidë e cila praktikisht fillon sot me marrjen në dorë të kësaj pasurie dhe transformimin e saj në një aset te paprekshëm por njëkohësisht edhe në një aset që sjell të ardhura më shumë për ata që kanë bekimin të lindin dhe të jetojnë këtu, por edhe për shumë nga ata që kanë ikur dhe që Vjosa duhet t’i tërheqë të kthehen, por edhe për të gjithë komunitetin.

Shumë faleminderit edhe një herë të gjithëve dhe nuk e di, këtu më thanë që është edhe dikush që vazhdon na cimbis me zogjtë e aeroportit të Vlorës. Do t’i lutesha shumë që të mos e bëjë më këtë punë. Ne jemi një qeveri dhe jemi një forcë qeverisëse që po ju them edhe një herë tjetër, kemi rritur nivelin e mbrojtjes së vendit aty ku nuk ka qenë kurrë, nga pikëpamja natyrore dhe për këtë flasin faktet. Kemi bërë kujdes që të rrisim sipërfaqen e zonave të mbrojtura dhe e përsëris, do të shkojmë në 30% në 2030 dhe për aeroportin e Vlorës i kemi bërë të gjitha proceset, të gjitha konsultimet, të gjitha studimet, të gjitha dhe tani që “tigrin” e Vjosës, garantuam që nuk do shkojë tek dentisti për t’i prerë dhëmbët dhe nuk do të bëhet mace, do i lutesha shumë kujtdo që ndodhet këtu dhe na shqetëson me letra dhe me transformime dhe devijime faktesh lidhur me aeroportin e Vlorës, që të mos na shqetësoje. 

Aeroporti i Vlorës është në ndërtim, do të ndërtohet në të gjitha rastet dhe do të jetë një vlerë e shtuar dhe në asnjë mënyrë një kërcënim për ekosistemin sepse e kemi diskutuar, ridiskutuar, në të gjitha nivelet, me të gjithë ekspertët, me të gjithë çfarë janë përfshirë. Kemi parë modelet më të mira, praktikat më të mira. Është një dosje e tërë sa një mal për procesin e aeroportit të Vlorës dhe siç e tha edhe miku im edhe komisari i zonës, Tërmet Peçi, tani Vlorën e egër do ta ruajmë bashkë, po nuk do bëjmë edhe njerëzit të egër, kështu që duhet të bëjmë një kombinim midis egërsisë së natyrës dhe zbutjes së njerëzve.

Faleminderit shumë të gjithëve!