Rama dhe Balluku inspektojnë punime në tunelin e Llogarasë: Shkurton kohën dhe rrit sigurinë rrugore drejt bregdetit

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogarisë aktualisht po vijon me ritme të larta. Kryeministri Rama i shoqëruar nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku, inspektuan ecurinë e deritanishme të punimeve në tunel ku janë hapur 4.6 kilometra.
“Këtu ndodhemi në 36 metrat e para ku ka filluar armatimi dhe vazhdohet me pjesën e armatimit 24metra, çdo herë që spostohet dhe besojmë që edhe kjo pjesë do mbyllet shumë shpejt. Më pas, për të ngelur pjesa e elektro-mekanikeve”, – u shpreh zëvendëskryeministrja Balluku.
Kjo vepër e re infrastrukturore do të ketë një impakt të madh në ekonominë dhe turizmin e jugut të vendit, duke rritur cilësinë e udhëtimit por edhe duke shkurtuar kohën që kërkohet për të mbërritur në destinacionet e preferuara të turistëve vendas e të huaj.
“Puna nuk ka ndaluar për asnjë moment. Pavarësisht se kontrata është 33muaj dhe kemi filluar në nëntor të vitit të kaluar, parashikohet të mbarojë para afatit. Sipas të gjitha parashikimeve të ecurisë që kemi deri tani, duam që në fund të shkurtit të shohim dritë, pra tuneli të hapet përfundimisht. Ndodhemi në tunelin kryesor i cili do jetë ai ku do të bëhet kalimi i automjeteve ndërkohë tunelet e emergjencës dhe sipas të gjitha parametrave teknike europiane, çdo tunel më i madh se 500metra, ka nevojë për tunel shoqërues emergjence. Tuneli i emergjencës punohet më të tjera kushte që në rast se do kemi rritje të trafikut dhe të volumeve, të kthehet në një tjetër tunel kryesor për të ndarë trafikun në dy tunele kaluese”, – u shpreh zëvendëskryeministrja.
Tuneli i Llogarasë do të ketë një gjatësi prej afro 6 kilometrash, i cili nis nga ura e Shën Elizës në zonën e Dukatit për të mbaruar në urën e Palasës.