Vettingu “ngel në klasë” Prokurorin e Krimeve të Rënda- Çfarë e penalizoi Përparim Kullurin?

Përparim Kulluri, Prokuror në Gjykatën e Krimeve të Rënda, është shkarkuar sot nga detyra duke u bazuar tek raporti i DSIK(Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar) si dhe tek mendimi i vëzhguesit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit.

Prokurori ndër të tjera, nuk ka arritur të marrë notë kaluese as në kriterin e pasurisë, në lidhje me këtë kriter, KPK, shprehet se ky prokuror nuk kishte kryer një deklarim të mjaftueshëm të pasurisë.

Ndër të tjera, komisioni po ashtu konstatoi, se Kulluri nuk kishte kryer hetime të detajuara, për një rast të dyshuar ndaj një prokuroreje të Matit, e cila akuzohej për korrupsion. Sipas KPK, fakti që ky prokuror nuk ka bërë asnjë veprim hetimor përgjatë një viti, ndikon në uljen e besimit tek drejtësia.

Prokurori i Krimeve të Rënda, Përparim Kulluri, nga viti 2004 ka drejtuar për pesë vjet Prokurorinë e Shkodrës. Me dekret të Presidentit të Republikës, ai është kthyer sërish si prokuror i Krimeve të Rënda, detyrë të cilën e ushtroi deri në momentin e shkarkimit./apel.media