Vështirësi në prodhimin vendas, bizneset ulin konsumin e energjisë

Sektori i prodhimit në vendin tonë po kalon vështirësi nga rritja e kostove në tregun e brendshëm dhe ulja e kërkesës nga jashtë.

Kjo ecuri u reflektua edhe në konsumin e energjisë në 3-mujorin e parë të vitit 2023, kur bizneset kanë ulur konsumin me 13.6% raportoi sot INSTAT.

Ulje me rreth 7% kishte edhe në konsumin e familjeve, por kjo ndodhi më shumë nga moti i ngrohtë këtë dimër.

Si rrjedhojë, përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët, në tremujorin e parë të vitit 2023, u ul me 10,1%, duke arritur vlerën 1.595 GWh nga 1.775 GWh që ishte në tremujorin e parë të vitit 2022.

Ndikimin më të madh në rënien e përdorimit të energjisë elektrike nga konsumatorët e kanë dhënë konsumatorët jofamiljarë, ku kemi një ulje të konsumit të energjisë elektrike me 13,6%, përkundrejt uljes me 7,2% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2023, energjia elektrike në dispozicion u ul me 9,7%. Prodhimi neto vendas i energjisë elektrike në këtë periudhë u rrit me 38,3%, duke arritur vlerën 2.787 GWh nga 2.016 GWh energji të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2022.

Prodhimi u realizua nga hidrocentralet publike në masën 57,9%, nga hidrocentralet private dhe koncensionare në masën 41,5 % dhe nga të tjerë prodhues (Fotovoltaik) në masën 0,6% të prodhimit neto vendas të energjisë elektrike.

Importi bruto i energjisë elektrike (energji në marrje), në tremujorin e parë të vitit 2023, arriti vlerën 246 GWh nga 715 GWh që ishte në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar kështu një ulje me 2,9 herë. Eksporti bruto i energjisë elektrike (energji në dhënie) arriti vlerën 904 GWh nga 373 GWh, duke shënuar një rritje me 2,4 herë.

Hidrocentralet publike, në tremujorin e parë të vitit 2023, prodhuan 1.614 GWh nga 1.065 GWh të prodhuar në tremujorin e parë të vitit 2022, duke shënuar rritje të prodhimit me 51,6%.

Hidrocentralet private dhe koncesionare, prodhuan 1.156 GWh nga 942 GWh të prodhuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar rritje të prodhimit të energjisë elektrike me 22,7%.

Shkëmbimi i energjisë elektrike (diferenca mes eksportit dhe importit bruto të energjisë), në tremujorin e parë të vitit 2023 ka arritur vlerën pozitive prej 658 GWh krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022 ku kishte një vlerë negative prej 342 GWh.

Humbjet në rrjet arritën vlerën 534 GWh nga 583 GWh duke shënuar kështu një rënie me 8,4%. Humbjet në transmetim janë rritur me 29,6% ndërsa humbjet në shpërndarje kanë rënë me 11,8%.

Humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar rënie me 11,1%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 13,3%, krahasuar me tremujorin e parë të vitit 2022./ MONITOR