Vendimi i MSH/ Epidemiologu: Nuk jemi ende gati për klubet e natës

 Epidemiologu Artan Simaku është shprehur se Shqipëria nuk është ende gati që të ketë të hapura klubet e natës, apo të lejojë muzikën në lokale, pas orës 08:00.

I ftuar në Report TV, Simaku tha se njerëzit nuk infektohen përmes veshëve, por është konsideruar që këto ambiente të qëndrojnë të mbyllur në mënyrë që të shmaget shtimi i kontakteve.

“Nuk parashikohet ndonjë ndikim i madh, ose ndonjë rritje e madhe të rasteve. Janë hartuar protokolle të posaçme për këto subjekte. Janë të pajisur të gjitha subjektet. Nëse respektohen, atëherë do të kemi raste të ulëta. Është një lehtësim i bizneseve që kanë qenë të mbyllura prej kohësh. Ne nuk infektohemi nga veshët por kjo ka ardhur si pasojë se në këto lokale rritet shumë numri i personave dhe kontaktet e afërta nga kërcimi. Jo prej muzikës por sepse rritet numri i kontakteve. Tani për tani kjo nuk është e mundur në këtë faze. Situata aktualisht është e qëndrueshme, por ka luhatje të vogla. Nuk parashikohet të kemi trend rritës në ditët në vijim. Hetimi dhe gjurmimi i kontakteve është kryer që në fazën e hapjes graduale. Vijon dhe në ditët e sotme madje duke u përforëcuar me skuadra në terren. Çështja e testimit ka qenë e debatueshme. Nuk është ndërprerë asnjë ditë që nga fillimi i pandemisë. Javët e fundit është rritur shumë kapaciteti testues. Testimi është kryer sipas standarteve të OBSh-së,” – tha Simaku.