Veliaj tregon prapaskenat e kunatit të Bashës: “Basha flet për varfërinë, por aplikon për leje të ndërtojë një vilë tjetër”

Në një takim me banorë të Laprakës, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, tha se nga njëra anë Lulzim Basha flet për varfërinë, e nga ana tjetër aplikon në bashki për të marrë leje për të ndërtuar një vilë tjetër.

Veliaj tha se ka qenë kunati i kryedemokratit që ka aplikuar për leje.

“Kunati i Lulit kishte aplikuar në Bashkinë e Tiranës për vilën e pestë – një pafytyrësi! Ti jep njëherë një kuti me ndihma ushqimore apo një konteiner për familjet e tërmetit.

U thashë ta harrojnë lejen për vilën e pestë! Mirë që i shtojnë vilat në vit pandemie, por aplikojnë edhe për një tjetër. Lejen për vilën e pestë do ta marrin vetëm kur të falin një nga katër vilat e tjera. Flasin për varfëri dhe aplikojnë për vila, pafytyrësi”, tha Veliaj.

Në media është përfolur se kreu i PD, Lulzim Basha, zotëron 4 vila, një prej të cilave në Gjirin e Lalzit dhe një tjetër në një nga zonat më të shtrenjta në Tiranë, në të cilën ka banuar pas tërmetit të 26 nëntorit.