Veliaj takim me kryetarin e Komunës së Gostivariti: Krah për krah me Maqedoninë e Veriut në rrugën e integrimit në BE

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në zyrë kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari, me të cilin diskutuan rreth realizimit të aktiviteteve të ndryshme për të rinjtë, në fushën e inovacionit, artit, kulturës etj.. Veliaj tha se në fund të verës në Tiranë do të ketë një javë dedikuar kulinarisë, kulturës, këngëve, e valleve të Gostivarit për të kuptuar që ka më shumë gjëra që i bashkojnë dy vendet.

“Jemi të lumtur që ju presim si Kryeqyteti Europian i Rinisë dhe më bëhet zemra mal që kemi filluar idetë e para se si disa nga shkollat e Gostivarit dhe te Tiranës mund të bëhen shkolla simotra. Mezi pres që kontributi ynë të jetë më shumë për të forcuar këto marrëdhënie mes të rinjve. Mezi pres gjithashtu, që në fillim të vjeshtës të kemi javën e Gostivarit këtu, të kulinarisë, të kulturës, të këngëve, të valleve edhe të kuptojmë që ka më shumë gjëra që na bashkojnë se gjërat që na ndajnë”, tha Veliaj.

“Teksa disa e shohin vendin me pamje nga e kaluara, disa e shohin nga e ardhmja, disa duan të shtyjnë integrimin evropian, disa duan të kthehen dhe të sqarojnë historitë e vjetra”, tha më tej kryebashkiaku Veliaj, ndërsa shtoi se Shqipëria e mbështet Maqedoninë e Veriut në hapjen e negociatave dhe do që të ecin krah për krah në rrugën drejt integrimit.

“Mezi presim qe Maqedonia e Veriut te ece perpara. Ne e shohim këtë jo si dikush që ndjek tjetrin, po si dy popuj qe ecin krah për krah, jo njëri para e tjetri pas. Dëshira që na del nga zemra është të shkojmë në këtë rrugë sëbashku dhe të dalim faqebardhë”, sqaroi Veliaj.

Kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari falenderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për dhuratën simbolike, për të cilin tha se është modeli i kryetarëve të komunave, jo vetëm në trevat shqiptare, por në gjithë rajonin.

“Tirana këtë vit e konsiderojmë si kryeqyteti i të gjithë shqiptarëve, jo vetëm i Shqipërisë. Është kënaqësi e veçantë të jem mysafiri i kryetarit Erion Veliaj, i cili është modeli i kryetarëve të komunave, jo në trevat shqiptare por në Rajon. Uroj të vazhdoni kështu”, përfundoi Taravari.