Veliaj: Së shpejti, shkolla të reja edhe në disa prej zonave që janë urbanizuar së fundmi, si Astiri, Sauku dhe Liqeni i Thatë

Shkollat e reja në Tiranë janë ndërtuar kudo me të njëjtin standard, si në qendër, ashtu edhe në periferi. Këtë fakt e vuri në dukje kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj gjatë një takimi me temë arsimin, të zhvilluar në sallën “Avni Mula” të shkollës “Servete Maçi”, e cila është një prej shkollave të reja të ndërtuara në kryeqytet.

“Vetëm në Pezë kemi ndërtuar 4 shkolla të reja, një ish komunë e cila nuk do t’i kishte bërë kurrë me taksat e saj këto shkolla. Më vjen mirë që kemi ndërtuar me të njëjtën cilësi si shkollën “Kosova” edhe shkollat në zonat më të largëta si në Zall Herr, në Dritas, i cili është fshati i fundit i Tiranës përpara se të takohet me Krujën”, u shpreh Veliaj.

Ai shpjegoi se shumë shpejt edhe në disa prej zonave që janë urbanizuar së fundmi, si Astiri, Sauku dhe Liqeni i Thatë, do të ndërtohen shkolla. “Për banorët e Saukut – edhe pse ndërtuam shkollën e re “Bashkim Fino” te Qyteti Studenti – ka ende nevojë për dy shkolla, për të cilat po kryejmë shpronësimin e dy hapësirave, një te ish-spitali i Arabit, që deri dje ishte braktisur, dhe do marrim një pjesë të oborrit të Akademisë së Policisë, ku ka qenë ish-parkingu i Policisë Ushtarake. Në njërën anë do jetë 9-vjeçarja me parashkollorin dhe në anën tjetër do të jetë gjimnazi”, tha ai.

Veliaj tha se e njëjta gjë do të bëhet edhe për lagjen 13. “Ka edhe aty nevojë për dy shkolla. Për zonën e Liqenit të Thatë, te Kopshti Zoologjik, jo brenda Kopshtit Botanik, por në cep, ku toka është pronë shtet, do të ndërtojmë një shkollë 9-vjeçare. Kurse, gjimnazi për këtë lagje do të jetë te Parku Olimpik”, sqaroi ai.