Veliaj do të taksojë të ardhurit në Tiranë/ Klodian Tomorri: Është diskriminim

Nga Klodian Tomorri

Tentativa e Bashkisë së Tiranës për të taksuar qytetarët e rretheve të tjera që hyjnë në kryeqytet është një çmenduri antikushtetuese. Kjo është një taksë që çdo gjykate ta rrëzon poshtë brenda sekondës.

Oreksi i Lalit për të taksuar është gjithmonë i madh, por ka ca parime me të shenjta se sa uria e Bashkisë së Tiranës për taksa.

I pari është parimi i mosdiskriminimit. Qytetarët jane njësoj të barabartë para ligjit. Nuk ka takse që vendoset për disa qytetarë dhe nuk vendoset për të tjerët. Ca emri do i vendosim kësaj takse? Taksa e provincialeve? Sepse nëse kalon kjo, qeveria nesër mund të vejë një taksë për barkmëdhenjtë, një taksë për njerëzit e gjatë, një tjetër për njerëzit e shkurtër, e kështu me radhë. Këto shembuj banalë janë për të treguar se çfarë cmendurie është ajo ide.

I dyti është parimi i përkatësisë. Tirana, Durrësi dhe çdo qytet tjetër i Shqipërisë janë pronë e shqiptarëve. Nuk janë pronë as e kryetarit të bashkisë, as e kryeministrit, cilido qoftë ai.

 

I treti është parimi i rezidencialitetit që mishërohet në sistemin tonë tatimor, neni 7 i ligjit për tatimin mbi të ardhurat. Taksat paguhen atje ku je rezident. Ndaj kemi marrëveshje për eliminimin e taksimit të dyfishtë edhe me të huajt ne. Me mendjen e Bashkisë së Tiranës, ne duhet të na taksonin sa herë që dalim jashtë shtetit, për pushime apo për halle. Vajte dy ditë për vizitë në Milano, paguaj taksë për pastrimin dhe gjelbërimin e Milanos.

Së fundmi, argumenti ekonomik. Edhe ky nuk qëndron. Pretendimi i Bashkisë se Tiranës se gjithë shqiptarët vijnë në Tiranë për të marrë shërbime duke shkaktuar kosto dhe duke mos paguar asgjë ështe i pavërtetë.

Ata qytetarë që vijnë në Tiranë, paguajnë taksë tek çdo mall apo shërbim që marrin në kryeqytet. Sepse bashkia takson çdo biznes ku ata blejnë apo marrin shërbime. Përtej kësaj, Tirana nuk u bë e mira e dheut as nga Bashkia as nga qeveria. Eshtë konsensusi i të gjithë shqiptarëve për ta pranuar atë si kryeqytet, që ka zhvilluar ekonomikisht Tiranën dhe që rrjedhimisht mbush arkat e bashkisë me taksa.