Vdekja mister e 29 vjeçarit shqiptar në burgun francez, familja kërkon hetim

Vazhdon të mbetet mister vdekja e 29-vjeçarit shqiptar Refik Mata, më 17 dhjetor, i cili u gjet pa jetë në qelinë e tij në burgun e Taraskonës, në Francë.

Autoritetet e burgut thanë se Mata ka kryer vetëvrasje. Por familja e tij nuk e pranon këtë version dhe kërkon të hidhet dritë mbi vdekjen e papritur të djalit të tyre.

Në Francë, çështja i është besuar avokates Julie Boano, e cila, pak ditë pas vdekjes së Matës, u takua me familjarët e tij brenda burgut për dorëzimin e sendeve personale.

Familja është e shqetësuar në veçanti nga një episod i ndodhur më 7 tetor, kur Refik Mata u paraqit në seancën për dëbimin nga Franca si alternativë ndaj burgimit, me dërgim në Shqipëri dhe ndalim rikthimi në Francë.

Atë ditë ai kishte shenja të dukshme dhune në fytyrë e trup, por kur u pyet nga gjyqtari se pse i kishte ato shenja në trup, nuk dha asnjë përgjigje.

‘Atë ditë i kërkova burgut një hetim të brendshëm, por nuk mora vesh se çfarë u bë’, thotë për Imperia Post avokatja Julie Boano. ‘Refiku kishte nisur të punonte në burg dhe pas dy ditësh kishte të programuar vizitën e vëllait.

Me pak fjalë, ishte mirë. Ka pasur disa raporte nga drejtoria e burgut që i atribuonin Refikut përgjegjësinë për disa episode brenda burgut. Këto raporte sollën më pas refuzimin nga gjyqtari për pranimin e kërkesës sonë për dëbim.

Raporte që na shkaktuan habi, pasi Refiku, para se të transferohej në Taraskonë, ka qenë në burgun e Nisës dhe nuk janë verifikuar kurrë situata të veçanta. Gjithsesi, ai do të lirohej në shkurt 2024. Nuk ka pasur asnjë motiv të dukshëm për të vrarë veten.

Tani është gjithçka në dorën e gjykatës dhe jemi në pritje të një vendimi, pra nëse do të arkivohet si vetëvrasje apo do të hapet hetim’.