Vdekja e turistëve rusë në hotel/ Prokuroria e Kavajës regjistron procedimin për vrasje në rrethana të tjera cilësuese

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë ka regjistruar procedimin penal “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” në lidhje me vdekjen e 4 turistëve rusë në ambientet e hotelit ‘Gloria’ në Qerret të Kavajës.

INFORMACION PER MEDIAT
Kavajë, 25 nëntor 2021. Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, ka regjistruar procedimin penal Nr. 448/2021, parashikuar në Nenin 79 “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” të Kodit Penal, për ngjarjen e ndodhur datë 15.10. 2021, me pasojë vdekjen e 4 shtetasve rusë në mjediset e SPA të hotel “Gloria Palace”.

Në përgjigje të interesimit të medias informojmë opinionin publik se deri në këtë fazë të hetimit në dinamikë janë administruar një sërë aktesh e provash në funksion të çështjes të cilat janë në verifikim nga ana e prokurorisë. Janë marrë gjithashtu deklarimet e personave që kanë dijeni për veprën penale. Të gjitha këto prova po vlerësohen në raport me njëra-tjetrën për të përcaktuar dhe ecurinë e mëtejshme të hetimit.

Duke kërkuar mirëkuptimin e medias dhe opinionit publik në ruajtjen e sekretit hetimor, sigurojmë angazhimin maksimal të prokurorisë në përfundimin e hetimeve në një kohë sa më shpejtë.