Varrezat masive në Përmet/ Arkeologët rrëzojnë tezën se i përkasin diktaturës komuniste, janë mesjetare

Varrezat masive të zbuluara sot në Përmet nuk i përkasin ish të përndjekurve në periudhën e diktaturës së komunizmit, por nga rezultatet paraprake mendohet se është një varrezë e periudhës mesjetare. ...
Varrezat masive në Përmet/ Arkeologët rrëzojnë tezën se i përkasin diktaturës komuniste, janë mesjetare
Foto: Varrezat masive në Përmet/ Arkeologët rrëzojnë tezën se i përkasin diktaturës komuniste, janë mesjetare

Varrezat masive të zbuluara sot në Përmet nuk i përkasin ish të përndjekurve në periudhën e diktaturës së komunizmit, por nga rezultatet paraprake mendohet se është një varrezë e periudhës mesjetare.

Ministria e Kulturës, thekson se grupet janë ende në vendndodhje, duke bërë monitorimin e plotë të zones, ndërkohë që në ditët në vijim mund të bëhen edhe gërmime arkeologjike.

Varret u zbuluan nga firma ndërtuese, e cila merret me shtrimin e rrugës në lagjen e re të Përmetit.

Menjëherë janë njoftuar autoritetet policore të cilët më pas kanë rrethuar zonën.

Në lidhje me këtë çështje ka reaguar edhe ministrja e Kulturës Elva Margariti.

Njoftimi i Ministrisë së Kulturës:

Një varrezë mesjetare zbulohet në Përmet!

Gjatë monitorimit të punimeve për zbatimin e projektit Task 5, “Për zhvillimin e integruar urban dhe turistik Berat- Përmet”, dolën në dritë disa varre.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore, Gjirokastër ndërmori menjëherë pezullimin e punimeve, dhe në datën 07.07.2021 specialistët tanë realizuan inspektimin dhe vlerësimin e gjetjeve arkeologjike në terren.

Nga rezultatet paraprake mendohet se kemi të bëjmë me një varrezë të periudhës mesjetare.

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore Materiale u diskutua dhe u përcaktua kryerja e gërmimit arkeologjik të shpëtimit nga ana e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë, për varrezën e identifikuar.

Rezultatet e gërmimit arkeologjik të shpëtimit, do të paraqiten për shqyrtim në mbledhjen e ardhshme të Këshillit Kombëtar.

Kreu i shoqatës anti-komuniste të të përndjekurve politikë, Nebil Çika u shpreh se ky vend ka shërbyer për ekzekutimin e disidentëve dhe kundërshtarëve të regjimit dhe ka qenë hapësirë e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Nebil Çika u shpreh: “Janë katër varre që ne dyshojmë se janë të të zhdukurve nga diktatura komuniste, të të pushkatuarve. Kemi gjetur vetëm katër, në fakt dyshohet nga dëshmitarët dhe nga indiciet që të jetë një varrezë shumë e madhe. Pra, edhe ndërtesat që janë ndërtuar këtu, një pjesë e tyre dyshohet që të jenë bërë mbi varre. Në diktaturën komuniste këtu ka qenë një repart ushtarak, nga ato repartet famëkeqe të ndjekjes që ndiqnin armiqtë e komunizmit, diversantët, ata që arratiseshin dhe deri në vitin 1991 ka qenë qendra më e madhe e stërvitjes së ushtarëve të kufirit për të gjithë jugun e Shqipërisë.

Në bazë të të dhënave që kemi dhe nga arkivi i ministrisë së Brendshme, por edhe nga dëshmitarët, këto lloj repartesh të izoluara, në varësi të ministrisë së Punëve të Brendshme  dhe të sigurimit të shtetit përdoreshin dhe si vende ekzekutimi për kundërshtarët e regjimit, ata që dënoheshin me vdekje, ata që vriteshin ose kapeshin në kufi, varroseshin në këto vende. Jemi këtu për të denoncuar jo vetëm gjetjen e eshtrave.

Dua të falënderoj firmën e ndërtimit të rrugës, e cila është treguar e përgjegjshme dhe e ka rrethuar vendin, ka lajmëruar policinë dhe prokurorinë, ndërkohë që shteti nuk ka marrë asnjë masë. Këtu në bazë të ligjit kemi një skenë krimi. Kemi katër skelete, katër trupa të vdekurish. Normalisht duhet të ishte skenë krimi, e rrethuar me shenjat e policisë dhe duhet të kishte roje të armatosur 24 orë. Mund të vijë dikush në darkë, t’i marrë, t’i heqë sepse nuk ka njeri. Ka dy javë, nuk ka ardhur askush, nuk ka as urdhër prokurorie për të filluar hetimet, nuk ka ardhur as mjek ligjor, as antropolog. Kjo dëshmon indiferencën e shtetit kur bëhet fjalë për të zhdukurit gjatë diktaturës komuniste”.

Prokuroria, më herët deklaroi se po pret ekspertët e monumenteve dhe mjekësisë ligjore pasi dyshohet, sipas saj, nga vlerësimet varret janë më të hershme.