Varhely: Samiti i BE-së në Tiranë i një rëndësie të madhe, do të trajtohen shumë sfida të përbashkëta

Nëse Evropa do të ketë paqen, sigurinë dhe prosperitetin e saj afatgjatë, ajo duhet të zgjerohet.

Kështu ka deklaruar Komisioneri i Bashkimit Evropian për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhely, gjatë një interviste televizive.

Varhely në përgjigjet e tij theksoi se samiti i BE-së për Ballkanin Perëndimor që do të mbahet në Tiranë është i rëndësishëm sepse do të trajtohen shumë sfida të përbashkëta.

“Ne duhet t’i mbajmë partnerët e Ballkanit Perëndimor plotësisht të përfshirë në debatet tona. Për shembull, kriza energjetike në Evropë nuk ka kufij dhe presioni i migracionit në rrugën e Ballkanit Perëndimor është gjithashtu presion ndaj Evropës”.

Komisioneri u pyet edhe rreth rritjes së skepticizmit ndaj mbështetjes për një perspektivë evropiane në disa vende të Ballkanit Perëndimor.

Në përgjigjen e tij, ai ravijëzoi se nuk ishte i befasuar nga kjo pasi komisioni i mëparshëm fillimisht kishte qenë kundër zgjerimit dhe efektivisht i kishte “kthyer shpinën” Ballkanit Perëndimor dhe fqinjësisë së tij.

Diçka që ai e përshkroi si “gabim i madh politik”.

Por ai nxitoi të vlerësojë edhe të kaluarën e komisionit aktual për këtë çështje, kjo pasi është vënë sërish në krye të agjendës politike.

Varhely shtoi se shikonte përtej “fokusit institucional të flluskave të Brukselit” dhe në vend të kësaj u përqendrua në çështjen e “integrimit real në terren”.

Samiti i BE-së në Tiranë

Katër do të jenë temat kryesore të diskutimit: Pasojat e agresionit rus kundër Ukrainës; intensifikimi i angazhimit politik; përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë ndaj ndërhyrjeve të huaja; sfidat e paraqitura nga migrimi, lufta kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Mbërritja dhe mirëpritja zyrtare, referuar Këshillit të BE-së, do të bëhet në orën 10:15.

Rreth orës 11:00 është parashikuar një hapësirë e quajtur “shkëmbim pikëpamjesh”.

Në orën 12:15 do të ketë një seancë plenare dhe drekë pune.

Më pas, samiti do të përmbyllet në orën 14:30 me një konferencë për shtyp.

Çfarë dihet deri tani?

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka theksoi se mbajtja e samitit në Tiranë, flet për ndryshime madhore gjeopolitike të BE-së.

“Pritshmëritë për samitin janë të dyfishta. Së pari, riafirmimi i një angazhimi të plotë dhe të qartë për perspektivën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe përshpejtimi i hapave pozitivë në të gjitha proceset përkatëse të integrimit evropian të vendeve të rajonit”.

Sipas Xhaçkës pritet forcimi i bashkëpunimit midis dy rajoneve në fusha si siguria dhe politika e jashtme.

Kujtojmë që, 6 dhjetori do të jetë ditë pushimi zyrtar.

Kështu ka vendosur qeveria shqiptare, për shkak të masave të sigurisë që janë marrë për ditën kur do të zhvillohet samiti.

Mbrëmjen e 25 nëntorit, përmes një komunikate për shtyp, Policia e Tiranës njoftoi se në bazë të hapave të ndërmarra për mbarëvajtjen e sigurt të samitit, nuk mund të kishte një tubim përballë Kryeministrisë.

Kjo, si pjesë e vendosjes së një perimetri sigurie dhe bllokimi të akseve rrugore në atë zonë.

Për kreun e Partisë Demokratike, Sali Berisha, samiti i 6 dhjetorit, është një mesazh i qartë kundër Vladimir Putin-it, Alexander Vuçiç-it dhe Edi Ramës.

Sipas tij, bashkësia evropiane po i tregon Moskës se Shqipëria, është territor i vendeve perëndimore dhe shtetet e tjera, nuk mund të kenë ambicie gjeostrategjike.

Ndërsa për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, Samiti i 6 dhjetorit e kthen Tiranën në kryeqendër evropiane.

”Ky samit e kthen Tiranën në kryeqendrën evropiane. E unë dua sa më shumë marrëdhënie të mira mes Ballkanit Perëndimor dhe BE-së”. Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme të takimit mbi 1 mijë e 500 forca të rendit do të jenë në terren për të garantuar sigurinë e samitit.