Vaksinat, një çështje e shëndetit publik apo një lojë e pushtetit?

Nga Mark T. Mitchell The American Conservative


Nuk jam vaksinuar ndaj virusit të Covid-19, dhe në parim nuk jam kundër vaksinimit. Deri më sot kam bërë një shumëllojshmëri vaksinash, përfshirë ato që mbrojnë kundër poliomelitit, fruthit dhe shytave. Kur çahem nga ndonjë gozhdë e ndryshkur, nxitoj që të bëj vaksinën përforcuese të tetanozit.

Edhe fëmijët e mi janë vaksinuar kundër këtyre sëmundjeve. E megjithatë unë hezitoj të pajtohem me sugjerimet që muajt e fundit kanë sugjeruar agjencitë e ndryshme qeveritare në SHBA, dhe e gjej veten nën presion nga vaksinimi i detyrueshëm që ka vendosur presidenti aktual.

Po pse hezitoj të vaksinohem këtë herë?Së pari unë e kam kaluar Covid-19. Dhe shumica e të dhënave pretendojnë se imuniteti natyror është të paktën po aq efektiv sa një vaksinë në mbrojtjen kundër infektimeve në të ardhmen.

Dhe ndërsa ka paqartësi se sa gjatë do të zgjasë imuniteti natyror, është domethënës fakti që në një studim të vitit 2008, njerëzit që i mbijetuan Gripit Spanjoll të vitit 1918 kishin ende antitrupa. Ndaj unë duhet të konsiderohem të paktën po aq i mbrojtur sa edhe dikush që është vaksinuar.

Dhe ky është një lajm shumë i mirë. Në rast se qëllimi është vërtet të kontrollojmë përhapjen e Covid-19, numri që duhet të analizojmë është shuma e atyre që janë vaksinuar dhe atyre që janë shëruar nga virusi. Aktualisht, rreth 181.7 milionë amerikanë janë vaksinuar kundër Covid-19, që përbën afro 55 për qind të popullsisë.

Gati 42 milionë amerikanë kanë qenë të konfirmuar zyrtarisht me Covid-19, dhe më pas janë shëruar. Ky numër ka të ngjarë të jetë shumë më i ulët se numri real, pasi ne e dimë që shumë njerëz përjetojnë simptoma të buta ose aspak të dallueshme, dhe për këtë arsye zhvillojnë antitrupa pa u testuar ndonjëherë pozitivë me këtë virus.

Sipas CDC, nga shkurti 2020 deri në majin e këtij viti, vlerësohet se 120.2 milionë amerikanë janë infektuar dhe më pas shëruar nga Covid-19. Kombinojini këto shifra me faktin se ne po përmirësohemi në trajtimin e simptomave të Covid-it, dhe ka shumë arsye të mendojmë se jemi duke shënuar një progres serioz në zbehjen e efekteve të këtij virusi.

Prandaj është e vështirë të mos nuhasësh që këtu bie erë diçka. Natyrisht, unë nuk jam mjek. Por jam një filozof politik, dhe kam kaluar shumë vite duke reflektuar mbi natyrën e pushtetit dhe prirjen tepër njerëzore për të abuzuar metë. Dhe kjo përvojë më nxit të bëj disa pyetje të caktuara.

Së pari:Pse ata që këmbëngulin për vaksinimin e injorojnë imunitetin natyror që ofron shërimi nga një infeksion viral?Në vend se t’i gëzohen faktit që mbi 1/3 e popullsisë në SHBA ka të ngjarë të ketë antitrupa ndaj Covid-19, ata që janë në pushtet po urdhërojnë vaksinimet për të gjithë pa pasur parasysh imunitetin.

Por fakt është që çdo vaksinë mbart me vete rreziqe të caktuara. Ky rrezik është edhe më real për një vaksinë të sapo-zhvilluar, për të cilën nuk dihen efektet afatgjata. A është e arsyeshme që një person që mbart antitrupa ndaj Covid-19 të marrë një vaksinë eksperimentale pa të dhëna afatgjata?

Pse? Ju lutem na e shpjegoni. Një qasje e bazuar vërtet tek shkenca do të merrte parasysh edhe faktin që njerëzit kanë tashmë një imunitet natyror. Pse nuk po ndodh kjo gjë? Pse ata që këmbëngulin se “i besojnë shkencës” nuk kanë parasysh shkencën e imunitetit natyror? Pra duket se diçka nuk shkon.

Së dyti:Pse informacionet mbi pandeminë Covid-19, censurohen vazhdimisht? Në rast se përmendet teoria e daljes së koronavirusit nga një laborator, kjo gjë hidhet menjëherë poshtë si një fjalim i çmendur Trumpian. Mediat që tentuan ta eksplorojnë këtë hipotezë u censuruan.

Individët që shprehën interes mbi këtë këndvështrim, u tallën si të çmendur, si njerëz me mendësi konspirativ, që duhej të ndalnin përhapjen e gënjeshtrave. Por tani hipoteza e një rrjedhje laboratorike, është ndoshta shpjegimi më i besueshëm.

Nëse interesi i vetëm do të ishte shëndeti publik, atëherë një debat publik i fuqishëm dhe ndjekja falas e së vërtetës do të ishte normë dhe jo përjashtim. Atëhere, kush po përpiqet që të fshehë këtë informacion? Çfarë po përpiqen të fshehin? Çfarë kanë për të fituar?

Së treti:Pse ilaçi ivermektinë, u sulmua aq shumë në raportet e qeverisë dhe mediave të establishmentit? Ivermektina është një ilaç kundër parazitëve, të cilin veterinerët e përdorin tek kuajt dhe lopët. Nuk është për njerëzit, por disa po e pompojnë veten plot me ilaçe blegtorale në një përpjekje fatkeqe dhe jo të arsyeshme për ta mposhtur Covid-19.

A është vërtet kështu? Jo tamam. Ivermektina është rekomanduar nga mjekët për dekada të tëra. Në vitin 2015, zbuluesi i këtij ilaçi fitoi Çmimin Nobel për Mjekësi. Ai përdoret vërtet për të vrarë parazitë të caktuar tropikal, dhe cilësohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë si një “ilaç jetik”.

Ivermektina është përdorur nga disa mjekë për të kuruar Covid-19. Rezultatet janë të përziera. Ndërsa unë vetë nuk kam asnjë mendim mbi Ivermektinën, më duket e habitshme pse mbështetësit e vaksinimit të detyrueshëm kanë prodhuar një realitet alternativ, duke e cilësuar atë si një pilulë për kuajt.

Edhe FDA e ka kritikuar këtë ilaç. Pse ndodh kjo? Kini parasysh një fakt. Sipas rregulloreve të FDA-së, një Autorizim i Përdorimit Emergjent (EUA) lejohet kur ndër të tjera “nuk ka alternativa të përshtatshme, të miratuara dhe të disponueshme”.

Vaksinimet kundër Covid janë vënë në dispozicion të publikut si një EUA. Vaksina e Pfizer mori miratimin e FDA vetëm muajin e kaluar. Vaksinat e tjera ende funksionojnë sipas udhëzimeve të EUA. Nëse do të kishte trajtime të qarta alternative, vaksinimet nuk do të merrnin statusin EUA.

Është e qartë se ka një nxitje të fortë financiare për të dekurajuar testimin dhe miratimin e alternativave të vaksinave aktuale. Patenta e Ivermektinës ka skaduar shumë kohë më parë. Askush nuk do të fitonte miliarda dollarë me të. Ndonjëherë ndjekja e parave është një këshillë mjaft e arsyeshme. A mund të jetë edhe në këtë rast?
Ndoshta, por ne nuk do ta dimë asnjëherë efektivitetin e trajtimeve të mundshme, nëse nuk vazhdojnë provat shkencore të terapive të ndryshme, nëse nuk shpërndahet lirisht informacioni rreth tyre, dhe nëse nuk lejohen zëra të ndryshëm që të debatojnë fuqishëm në mesin e opinionit publik.

Së katërti:Ku përfundon e gjitha kjo?. Nëse grupimi pro-vaksinimit do të triumfojë, çdo amerikan, dhe përfundimisht çdo njeri në këtë botë, do të ketë vaksinën anti-Covid. Por nëse do të vaksinohen që të gjithë, nuk do të ketë asnjë grup kontrolli, ndaj ne nuk do të mundemi të gjykojmë me saktësi efektivitetin e vaksinës.

“Politizimi i shkencës” po përdoret si një justifikimin për të censuruar kundërshtarët e vaksinave. Por kjo nuk është shkencë, sepse shkenca kërkon një hetim të hapur dhe të lirë. Nuk është as politikë, sepse politika legjitime kërkon një debat të lirë dhe të fuqishëm. Përkundrazi është një ushtrim i pushtetit, i maskuar si shkencë. Pra, po përjetojmë një situatë toksike ku pushteti zgjerohet, dhe ku po abuzohet në mënyrë dramatike në emër të shëndetit publik. Shkenca është një viktimë e dukshme, por kur veshim rrobat e pseudo-shkencës, një viktimë tjetër është liria e njeriut.