“Vajza jonë nuk e di se unë dhe Nora jemi divorcuar”, Roberti habit me deklaratën

Prej kohësh, Nora Istrefi dhe Robert Berisha s’janë më bashkë, por janë ndër të pakëtat çifte të ndara në paqe dhe marrëdhënia e tyre është për t’u pasur zili! Ata takohen shpesh bashkë për shkak të vajzës, Renee, shkojnë me udhëtime bashkë, hanë dreka e darka e janë shokët më të mirë të njëri-tjetrit.

Madje, ata janë mbështetja më e madhe e njëri-tjetrit dhe këtë e dëshmojnë herë pas here.

Së fundmi, Berisha ka treguar në një intervistë për “Goca dhe Gra” se situata mes tyre është arritur të  menaxhohet aq mirë, sa vajza e tyre nuk e di se janë të divorcuar.

“E kam menaxhuar aq mirë, sa goca nuk e di fare që ne jemi të divorcuar, dhe nuk e ka kuptuar që ne nuk jemi bashkë. Ne thjesht nuk bashkëjetojmë me një shpi, ne edhe pushimet i bëjmë bashkë. Kur vie puna me qenë e lumtur goca ajo është primare. Mendoj që duhet të harrohet ky mentalitet, këto komplekse të shqiptarëve, që kur të ndahesh nuk ke të drejtë as komshiut të gruas me i folë”, tha Berisha.

Veç kësaj duke treguar për marrëdhënien e ngushtë që kanë, Roberti ka treguar se gjithashtu secili mund të vazhdojë jetën e tij, por ata që bëhen pjesë duhet të respektojnë marrëdhënien mes tyre.

“Unë uroj që Nora dhe Renee të jenë të lumtura, dua vetëm lumturinë e tyre dhe vetëm për këtë do të këndoja në dasmën e Norës, nëse do të më ftonte”, – shprehu ai.