Universiteti i Mjekësisë rikthen studentët në auditore për vitin e ri akademik

Universiteti i Mjekësisë ka dalë me vendimin për rikthimin e studentëve në auditore për vitin e ri akademik.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, universiteti thekson se në varësi të situatës epidemiologjike dhe rekomandimeve nga Komiteti i Ekspertëve do të rishikohen skenarë alternative.

“Të nderuar studentë dhe pedagogë të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë! Në mbledhjen e datës 24.09.2021 të Rektoratit të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, pas diskutimeve lidhur me fillimin e vitit të ri akademik 2021-2022, sqarojmë se:

Procesi mësimor (leksione, seminare, laboratore, praktikë lëndore/klinike etj) në të gjitha programet e studimit që ofron UMT, për vitin e ri akademik 2021-2022, do të zhvillohet me prezencë në auditor.
Vendimet e Senatit Akademik të UMT-së nr.37, datë 28.4.2020 dhe nr. 70, datë 15.09.2021 (si skenare alternative) do të vihen në funksion në varësi të situatës epidemiologjike dhe vendimeve të Komitetit Teknik i Ekspertëve për pandeminë.

Urojmë shumë suksese këtë fillim viti akademik studentëve që ulen për herë të parë në auditoret tona, të gjithë studentëve të tjerë dhe stafit akademik të UMT-së !”