Një grup i panjohur të rinjsh kanë dhunuar studentët e Fakultetit të Ekonomisë, të Departamentit të Financës.
Si pasojë kanë ngelur të plagosur tre studentë, të cilët po marrin ndihmën e nevojshme mjekësore në spital.
Sipas të dhënave të publikuara në rrjetet sociale, në zhvillim të orarit të mesimit, kanë hyrë në auditor dy të panjohur dhe marrin pjesë në mësim. Pedagogia nuk ka ndërhyrë dhe dy djemtë kanë filluar të ngacmojnë me fjalë të papërshtatshme vajzat e klasës. Në momentin që studentët kanë dalë jashtë klase janë përballur me një grup prej 20 vetësh, të cilët iu janë sulur studentëve. Mësohet se janë dëmtuar rëndë 3 studentë, ndërkohë që ka pasur edhe të tjerë me dëmtime të lehta.
Ditën e sotme dekani i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Tiranës ka deklaruar se ngjarja nuk ka ndodhur brenda ambienteve të universitetit, por jashtë saj.
“Dy djem që nuk ishin pjesë e grupit të studentëve kanë hyrë në klasë ku zhvillohej mesim dhe kanë nisur të grinden me djemtë e grupit. Gjatë kohës që pedagogia vazhdonte mësimin, këta dy djem grindeshin me djemtë nga grupi. Me insistimin e grupit pedagogia i nxorri jashtë dy djemtë e panjohur.
Pasi ka mbaruar mësimi ka ndodhur një grindje jashtë klase ku një grup të rinjsh ka goditur studentët. I kemi thënë studentëve të denoncojnë ata që i kanë goditur. Kemi informuar në mëngjes strukturat e policisë.
Ne si dekanat i universiteti kemi marrë masat të sigurohemi nëpërmjet strukturave të shtetit që studentët të mos guxojë kush t’i godasë.
Ngjarja s’ka ndodhur brenda ambienteve tona. Jemi në pritje të masave që do të marrë policia. Ata që kanë guxuar të godasin studentët tanë në ambientet e Qytetit Studenti të mbajnë përgjegjësi. Studentët të denoncojnë këdo që guxon të prishë zhvillimin normal të mësimit”,- ka deklaruar Kule./apel.media