Universitetet publike përshtaten me vështirësi për kushtet e pandemisë

Në vitin akademik 2019-2020 shpenzimet financiare të universiteteve nuk iu përshtatën nevojave të pandemisë kur studentët dhe pedagogët u zhvendosën “online”, ndërsa studimet shkencore u lanë në harresë me investime pothuajse të padukshme.

Organizata “Qëndresa Qytetare” prezantoi të mërkurën gjetjet e monitorimit financiar për vitin 2019-2020 në gjashtë prej universiteteve publike, duke theksuar se zërat e investimeve sugjerojnë se këto qendra të arsimit të lartë mund të kenë vështirësi të përshtaten në kushtet e pandemisë së COVID-19.

“Është vënë re që edhe gjatë kohës së pandemisë ka patur shpenzime të çuditshme nga universitetet,” theksoi Rigels Xhemollari, drejtor ekzekutiv i Qëndresa Qytetare.

Organizata me qendër në Tiranë prej tre vitesh kryen monitorimin financiar të universiteteve publike në rang kombëtar, duke synuar arritjen e transparencës në universitetet publike si edhe orientimin e tyre ndaj kërkimit shkencor dhe investimit në këtë fushë, dhe jo në shpenzimet të tjera të panevojshme.

Stine Klapper, drejtuese e fondacionit ‘Friedrich Ebert’, i cili mbështeti financiarisht studimin, theksoi se çështjet që kanë të bëjnë me arsimin nuk janë individuale, ato kanë të bëjnë me të ardhmen e një vendi të tërë dhe një shoqërie të tërë, e prandaj është e rëndësishme të diskutohet mbi vlerat e arsimit dhe kushtet në të cilat zhvillohet arsimi edhe gjatë pandemisë së COVID-19.

“Universitetet ashtu si edhe shkollat e niveleve të tjera duhet të jenë një vatër demokracie, ku të gjithë ata që janë të përfshirë në këtë proces të marrin pjesë dhe vendosin për të ardhmen e tyre,” tha ajo.

Sipas gjetjeve të monitorimit të prezantuara nga Qëndresa Qytetare, gjashtë universitetet ku ata kanë kryer studimin kanë shpenzuar 7.3 milion euro në zërin e investimeve, ndër të cilat vetëm 38 mijë euro kanë shkuar për studime dhe kërkime shkencore (rreth 0.5% e investimeve totale) – pjesa tjetër është investuar në rikonstruksion dhe mirëmbajtje ndërtesash.

Gjatë vitit akademik 2019-2020, i cili kryesisht është zhvendosur online për shkak dhe të tërmeteve që prekën Shqipërinë e më pas dhe përhapjes së  pandemisë së COVID-19, rezultojnë 1,7 milion euro honorare në formë shpërblimi ndaj zyrtarëve të Universitetit të Tiranës.

“Vetëm për orenditë dhe mobilet e zyrës figurojnë 413 mijë euro shpenzime,” thekson studimi i Qëndresës Qytetare, ndërkohë që të gjithë studentët dhe pedagogët e kanë realizuar mësimdhënien në distancë, pa patur nevojën e përdorimit të këtyre orendive në universitete.

Një ndër gjetjet e studimit gjithashtu tregon se  94% e studentëve kanë qenë të painformuar për mënyrën se si shpenzohen paratë që ata paguajnë për universitetin, si edhe 74% e tyre nuk i njohin përfaqësuesit e bordit të cilët merret me vendimmarrjen.

Sipas studimit Universiteti i Tiranës ka shpenzuar 4 mijë euro për goma dhe bateri makinash, si dhe 106 mijë për dieta udhëtimesh, gjatë periudhës së izolimit.

Përsa i përket zërit të studimeve shkencore, zero investime figurojnë në këtë drejtim përgjatë 2019-2020 në Universitetin e Tiranës.

Sipas Qëndresa Qytetare edhe në universitetet e rretheve shpenzimet nuk përkojnë me nevojat e universiteteve përgjatë periudhës së tërmeteve dhe pandemisë.

Në universitetin e Shkodrës, “Luigj Gurakuqi”, shpenzimet e vitit konsistojnë në shumën 290 mijë euro dhe janë kryer për shtesa page për vështirësitë dhe rreziqet në kohë pandemie.

“Cilat mund të jenë rreziqet që i kanosen pedagogëve në mësimin nga shtëpia”, ironizoi Migen Qiraxhi, përfaqësues i Qëndresa Qytetare.

Nga ana tjetër, universiteti “Aleksander Moisiu” në Durrës, ka kryer rreth 35 mijë euro shpenzime për printime, ndërkohë që pjesa më e madhe e studentëve kanë deklaruar se printimet e materialeve studimore i bëjnë në qendra private jashtë universitetit.

Gjithashtu universiteti “Aleksander Xhuvani” në Elbasan ka shpenzuar një shumë të majme prej 48 mijë eurosh për ujin e pijshëm, përgjatë muajve ku asnjë prej studentëve apo pedagogëve nuk ka qenë prezent në auditor.

Nga studimi rezulton se Universiteti “Fan Noli” në Korçë ka qenë i vetmi që ka kryer shpenzime disi më modeste në perputhje me nevojat e periudhës se pandemisë. Megjithatë edhe në këtë universitet 37 mijë euro kanë shkuar për bojë printeri.

Me pasqyrimin e të gjitha këtyre shpenzimeve për arsye të cilat duken se nuk lidhen me nevojat që solli pandemia në arsim, nga Qëndresa Qytetare u vu re se dixhitalizimi i shërbimeve administrative të universiteteve ka munguar, ashtu siç ka munguar edhe rimbursimi o paketave të internetit për studentët të cilat kanë ndjekur mësimin online.

Migen Qiraxhi u shpreh se financat e universiteteve nuk janë përshtatur me pandeminë gjatë këtij viti akademik që lamë pas, si edhe theksoi se duhet rishikuar çështja e reduktimit të tarifave që studentët paguajnë..

“Ky realitet është shumë i vështirë për t’u ndryshuar nëse ne si organizata dhe aktivistë nuk bëjmë presion për transparencë dhe llogaridhënie”, tha Qiraxhi gjatë prezantimit të rezultateve mbi transparencën financiare të universiteteve publike në Shqipëri.

“Duhet që t’i orientojmë universitetet tona më shumë drejt kërkimeve shkencor dhe sa më pak drejt llukseve të kota,” përfundoi ai. /reporter