Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane fuqizohet: Kryetari Nazmi Viqa prezantoi Drejtorin e ri operativ Fadil R. Abdullahu

Unioni i Bizneseve Shqiptare-Gjermane në Gjermani po punon fuqishëm dhe me ngulm për ristrukturimin dhe fuqizimin e tij. Këto ditë është zgjedhur edhe Drejtori Ekzekutiv Operativ (CEO).
Drejtorin e ri Fadil R. Abdullahu e ka prezantuar vet kryetari i UB, z. Nazmi Viqa, i cili tha se në këtë mënyrë i jepet edhe një shtytje tjetër fuqizimit të Unionit të Bizneseve si dhe intensifikimit të aktiviteteve të cilat kanë nisur kohët e fundit. Ndërkohë që sipas tij, në të ardhmen UB do të organizojë edhe aktivitete të tjera të shumta.
Ekonomisti, Fadil R. Abdullahu ka marrë mbështetjen edhe të anëtarëve të tjerë të Kyesisë së UB, që t’i udheheqë proceset operative, si në qendër ashtu edhe në degët e UB.
Z. Nazmi Viqa, në emrin e tij personal dhe të kryesise i uroi drejtorit të ri mirëseardhje dhe sukses në detyrën e re.

Zotimet e kryetarit të ri

Ndërsa Zoti Abdullahu, në një prononcim për Diaspora Today zotohet se në postin e ri si Drejtor do të angazhohet edhe më fuqishëm në kooardinim të përhershëm me Kryesinë e UB, si dhe në bashkëpunim të ngushtë me koordinatorët dhe stafit operativ, që të kontribuojë në forcimin dhe funksionalizimin edhe më të mirë të aktiviteteve të UB“.
Z. Abudullahu shpjegon se ndër detyrat me prioritet për te do të jenë: fuqizimi i UB dhe shtrirja e UB në tërë territorin e Gjerrmanisë, por edhe në vendlindjet tona si dhe funksionimi më i mirë operativ.
Ndër detyrat me prioritet në të ardhmen për z. Abdullahu dhe kryesinë e UB do të jenë themelimi i gjashtë degëve në Gjermani (Hamburg, Berlin, Düsseldorf, Frankfurt, Stuttgart dhe München), si dhe Prishtinë, Tiranë e Shkup

Angazhimet me prioritet

„Angazhimi i profesionistëve të fushave te caktuara në UB, krijimi i shtyllave sipas veprimtarive të anëtarëve (Ndërtimtaria, Gastronomia, Prodhimi, Tregtia dhe Shërbimet profesionale), ristrukturimi organizativ dhe klasifikimi i anëtarësisë sipas kontributeve, janë ndër detyrat e tjera që z. Abdullahu do t’i realizojë së bashku me udhëheqësinë e UB në të ardhmen.
Ndërsa qëllimet e UB janë ndër tjerash: Fuqizimi i UB, krijimi dhe mirëbajtja e urave lidhëse ne mes të anëtarëve të UB si dhe bashkëpunimi mes kompanive në Gjermani dhe në vendlindje, përfaqësimi dhe përkrahja e anëtarëve të UB pranë institucioneve lokale, insitucioneve të landeve dhe atyre federale në Gjermani…
Por UB do të insistojë dhe do të punojë fort për vendosjen dhe zgjerimi e bashkëpunimit me kompanitë nga vendlindja si dhe në hapjen e mundësive për plasimin e produkteve dhe shërbimeve të tyre në tregun gjerman dhe në vendlindje. E një prej qëllimeve është edhe sinergjia e forcave dhe kapitalit për projekte të përbashkëta si në Gjermani ashtu edhe në vendlindje, sepse vendlindjet tona kanë nevojë si kurrë më parë për investime dhe punësimin e kapaciteve të jashtëzakonshme që kanë Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, duke mos harruar në perspektivë edhe hapësirat e tjera të banuara me shqiptarë.
Kryesia e UB, drejtori dhe stafi operativ premtojnë se në të ardhmen do të jenë në dispozicion që të ndihmojnë sa më shumë ne realizimin e këtyre qëllimeve.