Unaza e Madhe, 63 milion euro kosto/ Publikohen kompanitë fituese

63 milionë euro do të marrin kompanitë që kanë fituar 4 tendera të Unazës së Madhe. Në të gjithë rastet vihet se se kriteret e përcaktuara kanë skualifikuar ofertat më të lira. Ekspertët shprehin shqetësimin se dhe ankimimi në këtë rast është i pamundur pasi fatura shkon në mbi 100 mijë euro.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka publikuar fituesit për katër tendera të ndërtimit të Unazës së Madhe që do të kenë një kosto prej 63 milionë e 705 mijë euro.

Sipas të dhënave zyrtare në të gjithë rastet janë skualifikuar kompanitë që kanë kërkuar më pak para për punimet, ose janë përjashtuar nga gara të gjithë kompanitë e tjera përveç fituesit.

Për lotin e katërt, kompania fituese do të marrë 1 miliardë e 991 milionë lekë të reja.

Në këtë rast janë përjashtuar 3 kompani, ndër të cilat një prej tyre ka kërkuar prej shtetit 400 milionë lekë më pak.

Në lotin e pestë fituesi do të marrë 1 miliardë e 802 milionë lekë.

Katër kompani kanë paraqitur ofertë me vlerë më të ulët dhe nga 12 pjesëmarrës, 10 janë skualifikuar nga gara.

E njëjta situatë dhe në lotin e gjashtë ku 5 ofertat më të lira kanë dalë nga gara prej Komisionit dhe fituesi do të marrë 1 miliardë e 716 milionë lekë.

Të gjitha kompanitë, përveç fituesit në këtë rast, janë skualifikuar.

Edhe në lotin e shtatë ku morën pjesë 7 kompani, 6 janë përjashtuar nga gara.

Fituesi këtë radhë do të marrë 2 miliardë e 261 milionë lekë të reja.

Në te gjitha rastet ose kompanitë nuk kanë plotësuar kriteret për stafin, ose nuk kanë plotësuar kriterin e një pajisjeje të caktuar.

Po ashtu problem kanë qenë dhe kapacitetet financiare.

Problem, sipas ekspertëve është dhe fakti se kompanitë e kanë të vështirë të ankimojnë.

Kjo pasi duhet të parapaguajnë si tarifë 0.5 për qind të shumës, ose e thënë ndryshe më shumë se 100 mijë euro në rastin më të mirë.

Një veprim i tillë thuajse e bën të pamundur prapësimin e vendimit të Komisionit.