Ukraina akuzon rrjetin rus për një mori sulmesh kibernetike

Të hënën Ukraina akuzoi një rrjet rus në internet, për sulme të mëdha në faqet e saj të internetit të lidhura me sigurinë e mbrojtjen. Autoritetet ukrainase megjithatë nuk dhanë ndonjë hollësi për dëme të shkaktuara ose se kush qëndronte pas sulmit.

Edhe në të kaluarën Kievi ka akuzuar Moskën për orkestrimin e sulmeve të mëdha kibernetike si pjesë e një “lufte hibride” kundër Ukrainës, akuza këto që janë mohuar nga Moska.

Megjithatë në deklaratën e Këshillit për Sigurinë Kombëtare dhe Mbrojtjen të Ukrainës nuk thuhet se kush besohet se ka organizuar këto sulme dhe nuk jepen detaje për ndikimin që ndërhyrjet mund të kenë patur në sistemin kibernetik ukrainas.

Sulmet filluan më 18 shkurt dhe kishin në qendër faqet që i përkisnin Shërbimeve të Sigurisë ukrainase, vet Këshillit dhe disa institucioneve të tjera shtetërore e ndërmarrjeve strategjike, thuhet në deklaratë.

“Është zbuluar se adresat që i përkisnin trafikut të rrjeteve të caktuara ruse ishin burim i këtyre sulmeve të koordinuara”, thotë Këshilli.

Këshilli shton se sulmet u përpoqën të infektojnë progremet e dobët të internetit të qeverisë përmes një virusi që i bashkon ato me një rrjet që përdoret për sulmet që njihen si DDOS.

DDOS janë sulme kibernetike përmes të cilave hakerët mundohen të përmbytin një rrjet me sasi të lartë të të dhënave në trafik në mënyrë që ta paralizojnë atë.

Raportet mes Urakinës dhe Rusisë janë përkeqësuar që nga aneksimi që Rusia i bëri Krimesë më 2014 dhe përfshirja në një konflikt në rajonin lindor të Ukrainës Donbass, ku Kievi thotë se u vranë 14 mijë njerëz.

Ushtria ukrainase tha këtë muaj se pesë pjesëtarë të saj u vranë gjatë javës që shkoi më 14 shkurt pavarësisht një armëpushimi me separatistët pro-rusë në lindje të vendit.

Të hënën ushtria raporti vdekjen e një ushtari tjetër pas një sulmi me granatë anti-tank. /VOA