UFC: McGregor konfirmon rikthimin në kafaz, ja dueli që synon

I tërhequr nga sporti, Conor McGregor deklaroi më herët se do të rikthehet të duelojë me boksierin filipinas Manny Pacquiao. Një sfidë që do të zhvillohet vitin tjetër. Por kjo sfidë nuk do të jetë e vetmja për irlandezin, që ka bërë të qarta planet e tij.

Në një intervistë, ish-kampioni i dyfishtë i botës në artet marciale mikse tha se do të rikthehet edhe në kafaz. Ai synon të përballet me veteranin e UFC-së, Diego Sanchez, 39 vjeç. McGregor i ka kërkuar presidentit të UFC-së, Dana White, ta organizojë këtë sfidë në të ardhmen.

Gjithsesi, Dana White nuk ka qenë optimist në organizimin e kësaj sfide, që sipas tij nuk ka interes, pasi McGregor ka një nivel shumë më të lartë se Sanchez. Kjo situatë nuk ka stepur irlandezin, që pavarësisht komenteve të presidentit të UFC-së është i vendosur ta zhvillojë këtë përballje.

Unë jam ende i interesuar për të zhvilluar këtë duel me Diego Sanchez, kudo që të jetë mundësia. Ai është një luftëtar i vërtetë, një pioneer i këtij sporti. Për mua do të jetë një nder. Disa njerëz nuk tregojnë respekt për të dhe ky është turp, gjërat duhet të ndryshojnë”, tha McGregor.