U zgjodh dhe u dorëhoq brenda ditës, Magdalena Andersson riemërohet kryeministre e Suedisë

Magdalena Andersson, e cila u zgjodh si kryeministrja e parë grua në Suedi dhe u dorëhoq brenda ditës të enjten e shkuar, është riemëruar sërish sot në këtë post pas një votimi të ri. Deputetët suedezë e përkrahën sërish udhëheqësen e partisë Social-Demokrate, me një shumicë të ngushtë gjatë votimit të sotëm.

349 deputetët e Parlamentit suedez votuan për Andresson, ndërkaq 75 abstenuan dhe 173 vota ishin kundër. Nën sistemin politik suedez për t’u emëruar kryeministre asaj i duhej shumica e thjeshtë e votave. Tani detyra e Andersson do të jetë të udhëheqë qeverinë njëpartiake deri në zgjedhjet parlamentare të shtatorit 2022.

Kujtojmë se një javë më parë, Andersson e ndërmori vendimin e dorëheqjes pasi pësoi një humbje në parlament ndërsa votohej buxheti i paraqitur nga qeveria. Ish-kampionia suedeze në not nga Universiteti i Upsalas, Andresson e nisi karrierën politike në vitin 1996 si këshilltare e kryeministrit të atëhershëm, Goran Persson.  Shtatë vjetët e shkuara i kaloi si ministre e Financave para se të bëhej udhëheqëse e Social-Demokratëve në fillim të nëntorit.