“U verifikua dhe u lirua”/ Ministria e Jashtme e Kosovës reagon pas arrestimit të veteranit të UÇK-së: Të mos lejojmë më turpërimin e shqiptarëve

Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Meliza Haradinaj-Stbulla ka deklaruar se ish-luftëtari i UÇK-së Murtez Kastrati është ndaluar nga policia shqipare, por më pas është lënë i lirë.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, ajo shprehet se menjëherë sapo ka marrë lajmin se vetarani i UÇk-së është arrestuar ka telefonuar ministrin e Punëve të Jashtme Gent Cakajn, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që  Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.

Lajmin se veterani i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Murtez Kastrati nga Lipjani, është ndaluar nga policia e Shqipërisë, e ka publikuar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, përmes në postimi në rrjetet sociale.

Reagimi i plotë nga Ministrja Meliza Haradinaj-Stbulla:

Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastratit, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh.

Është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në bashkëpunim të ngushtë me homologun Cakaj, do të veprojmë konform kompetencave tona ligjore e kombëtare, që të mos lejojmë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash!