U tha se kishin mbijetuar 8 persona, zbardhet misteri i pasagjerit arab në autobusin e djegur

Mediat bullgare një ditë më parë kanë  raportuar për një person të tetë që ka shpëtuar nga tragjedia e djegies së autobusit ku humbën jetën 45 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut.

Pasagjeri i tetë që u përmend mes të mbijetuarve në aksidentin tragjik, ishte një shtetas arab i cili ka shkuar në mediat bullgare dhe është shprehur se ka një gabim që emri i tij është përfshirë në listat e të mbijetuarve pasi nuk ka asnjë lidhje me to.

Sipas televizionit, gabimi ka ndodhur në spitalin “Pirogov”, sepse ka pasur mospërputhje mes listës së të lënduarve në aksident dhe listës së pjesëmarrësve në udhëtimin e kompanisë turistike maqedonase.

Personi i përmendur Shadi Nauf al Saleh shpjegoi se nuk kishte asnjë lidhje me aksidentin. Ai të shtunën është shtruar në repartin e traumës në Spitalin Pirogov për shkak të një thyerjeje të krahut.

Më pas rezulton se në klinikë ai është futur gabimisht në listën e të lënduarve nga aksidenti. Saleh tashmë ka dalë nga spitali. Ndërkohë një dyshim i tillë është ngritur dje në konferencën për media të Prokurorisë Publike Bullgare u tha se nga autobusi u nxorrën 44 trupa, ndërsa 8 nga udhëtarë mbijetuan. Më parë ishte raportuar se në aksident kishin vdekur 45 udhëtarë.